E konfirmon policia: Dy persona u plagosën brenda një dyqani në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë

Dy persona janë plagosur nga arma e zjarrit brenda një dyqani sonte në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, lidhur me rastin.

Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa konfirmohet arrestimi i dy personave.

Këto informata i dha për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 19:45, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani dhe për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri”, tha ai.

Përveç dy të arrestuarve, policia po punon edhe për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast.

“Dy persona janë arrestuar nga policia nën rrethana që ndërlidhen me ngjarjen, ndërkaq vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Borovci.