11 të arrestuarit gjatë operacionit policor “Never Forget” kanë mbërritur në gjykatën e Elbasanit, ndërsa rrugët janë blinduar nga policia.
Në pritje të zhvillimit të seancës për masën e sigurisë një territor i gjerë rreth e rrotull gjykatës së Elbasanit është bllokuar. Policia gjithashtu ka ushtruar kontrolle edhe në ambientet e brendshme të gjykatës përpara nisjes së seancës.
Prokurori Kreshnik Ajazi ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të gjithë të arrestuarit, ndërsa seanca do të drejtohet nga gjyqtarja Megi Strakosha.
Kujtojmë se disa ditë më parë, në operacionin i cili zgjati rreth 12 orë policia mundi të shkatërrojë një grup vrasësish me pagesë të cilët në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë vendit kishin kryer krime dhe kishin mundur të mbeteshin anonim për policinë.
Në pranga gjatë megaoperacionit “Never Forget” ranë Artan Tafani, Erisiana Abedini, Lulzim Spahia, Ligor Romaçka, Bujar Abedini, Bledar Berberi, Mariglen Topuzi, Enriko Xhahysa, Klea Xhafa, Idriz Manaj, Fatjon Haxhiu, ndërsa në kërkim janë shpallur Lorenc Lala, Firdeus Berberi dhe Kristi Bizheku.
Arrestimi i 39-vjeçarit Artan Tafani për grabitjen e një exchange në Tiranë ishte pjesa e fundit që plotësoi puzzlen dhe hodhi dritë mbi të shkuarën e errët.