Prej sezonit të shkuar, “topçinjtë” e Arsenal duket të kenë rimarrë atë “shkëlqimin” e dikurshëm, teksa kanë arritur të krijojnë një ekip plot “yje” e lojtarë të talentuar, si Martin Odegaard, Bukayo Saka, Gabriel Martinelli, Aaron Ramsdale e Gabriel Jesus.
Ndër “yjet” që “shkëlqen” më shumë është padyshim kapiteni norvegjez, Martin Odegaard, i cili mund të thuhet me plot gojë se ka “ringjallur” mesfushën e “topçinjve” e për këtë arsye duket se dëshiron ta “shpërblejë” me një kontratë të re.
Aktualisht, ish-“fantazisti” i Real Madrid ka një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025 me “topçinjtë”, me një pagë prej 115 mijë paundësh në javë, mirëpo duket se kjo gjë do të ndryshojë në ditët në vijim dhe për këtë gjë dakordësinë e ka dhënë dhe vetë lojtari.
Përveç klubit, të cilët kanë vendosur t’i bëjnë “dhuratë” rinovim, me performancat e Odegaard duket të jetë shumë i kënaqur dhe tekniku Mikel Arteta, i cili në konferencën e zhvilluar në prag të ndeshjes me Everton foli më shumë për negociatat që po zhvillohen.
“Ai është kapiteni ynë, një lojtar i rëndësishëm për ne. Për të tashmen dhe të ardhmen. Jemi shumë të lumtur që e kemi dhe duam që ai të vazhdojë këtu për një kohë të gjatë. Rinovimi? Unë jam optimist. Jemi shumë afër, kur të konfirmohet, do ta shpallim”,- u shpreh “iberiku”