Filmonte studentet në dushin e dhomave të zhveshjes, burg për ish-arbitrin pervers

Një ish-arbitër italian, i cili ishte denoncuar nga 5 vajza në vitin 2018 se i kishte filmuar ato me celular në dhomat e zhveshjes, është dënuar me dy vite burg.

Vajzat, asokohe 18 vjeç ishin studente në shkollën e arbitrave në Castellammare di Stabia (Napoli), ku janë filmuar nga ish-arbitri i Seria A.

Njëra prej tyre vuri re se në dhomat e zhveshjes ishte fshehur një celular në mënyrë që kamera të regjistronte vajzat teksa bënin dush.
Fillimisht, askush nuk i besoi vajzat duke thënë se ato kanë shpifur.

“Ofendoheshin dhe i quanin pula”, tha avokatja Libera Cesino, e cila me ekipin e avokatëve të shoqatës “Të çliruar nga dhuna”, ndihmuan 5 studentet.

“I thanë vajzës që zbuloi celularin se po e bënte me qëllim. Të gjithë ishin në favor të ngacmuesit. Të gjithë thanë se 40-vjeçari ishte njeri i mirë. Pas asaj që kaluan, asnjëra prej vajzave nuk donte më të bëhej arbitre”, shtoi Cesino.