Një spektakël për mërgatën në Zvicër

MERXHAN JAKUPI

Në qytetin e bukur dhe të vogël, mes trekëndëshit kufitar Zvicër, Gjermani dhe Austri, në kantonin st. Gallen të Zvicrës, gjallëron vendbanimi i mrekullueshëm WIL. Më 9 shtator 2023, pasdite, ky qytet kishte marrë ngjyrën shqiptare kuqezi. Nëpër rrugë, sheshe dhe stacion hekurudhor, makina të shumta, kalimtarë të zhurmshëm në gjuhën shqipe. Në atë pasdite, dielli shkëlqente me ylberin kuqezi. Në horizont dukeshin alpet e bukura dhe magjepse zvicerane. Turma të kalimtarëve shkonin drejt stadiumit të qytetit të Wilit. Ajo ditë ishte me vapë, por kjo nuk ishte pengesë që shqiptarët të vinin nga kantonet zvicerane dhe nga qytetet e afërme të Gjermanisë dhe Austrisë, për të parë ndeshjen e shumëpritur miqësore, mes dy skuadrave të futbollit, KF WIL dhe KF SHKËNDIJA nga Tetova. Në shkallët e stadiumit të këtij qyteti ishin tubuar mbi 5 mijë mërgimtarë shqiptarë, për të përcjellë ndeshjen dhe manifestimin e organizuar me valle, këngë dhe prezantim pehlivanësh.

BEKIME PËR MËRGATËN SHQIPTARE

Stadiumi ishte i mbushur me pankarta, flamuj e simbole kuqezi, ndërsa në vend të dukshëm valonin edhe dy flamujt shtetërorë, ai zviceran dhe shqiptar. Kjo ditë, për shumë mërgimtarë ishte ditë e veçantë, përplot me hare e entuziazëm. Në pjesën e publikut mund të vëreje spektatorë të të gjitha moshave, fëmijë, të rinj dhe në moshë, të cilët jo vetëm që kishin ardhur të shikojnë një ndeshje miqësore në futboll, por edhe me praninë e tyre të fisnikërojnë dhe dëshmojnë adhurimin për kombin shqiptar.
Ky organizim kaq i madh sportiv e kulturor ishte realizuar në bashkëpunim me drejtuesin e Xhamisë në Wil-it, Hashim Selami dhe aktivistin e shquar Faton Ramadani. Në këtë manifestim kishte ardhur edhe shoqëria kulturore-artistike shqiptare “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, grupi i njohur muzikor ELITA 5 dhe një numër pehlivanësh.
Në këtë manifestim kishte edhe personalitete nga qytete të ndryshme të Zvicrës, por edhe të Gjermanisë dhe Austrisë. Para ndeshjes së futbollit, fjalën e rastit mbajti biznesmeni dhe filantropi i njohur nga Tetova, presidenti i kompanisë së njohur e prestigjioze në përmasa botërore “Ekolog”, Lazim Destani, emblemë e kombit shqiptar, që ka dhënë kontribut të çmuar në ngritjen e ekonomisë në vendlindjen e tij, në Tetovë dhe gjetiu në trojet shqiptare, duke punësuar me mijëra shqiptarë. Ai u prit me ovacione nga mërgimtarët tanë, kur u shpreh se mërgata shqiptare është shpirti i kombit, duke kujtuar të pranishmit së diaspora shqiptare ishte protagoniste edhe e formimit të shtetit më të ri, të Kosovës. Lazim Destani, sponsor kryesor i KF SHKËNDIJA, në fund shprehu bekime për mërgatën shqiptare dhe popullin zviceran.

“ELITA 5” U MIRËPRIT NGA MËRGIMTARËT

Më pas, doli në fushën e gjelbër, ikona e sportit të mundjes, kampioni botëror në kategorinë e vet, Shaban Tërstena, duke përshëndetur gjithë spektatorët dhe pjesëmarrësit në këtë manifestim, duke uruar suksese të mëtejme asociacioneve që lidhin vendet tona me këso manifestime kulturore e sportive, mes mërgatës shqiptare dhe vendlindjes.
Para të pranishmëve foli edhe aktivisti i spektrit të majtë të subjektit politik Socialdemokrat dhe anëtar në asamblenë e komunës së Wilit, Arbër Blakaj, i cili theksoi se po angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, veçmas të atij shqiptar në Zvicër.
Ndeshja e futbollit ndërmjet dy skuadrave Wil dhe Shkëndija kaloi në një atmosferë miqësore, por nuk munguan emocionet dhe duartrokitjet. Takimi u mbyll me rezultat 1:3, në favor të mysafirëve nga Tetova.
Pas ndeshjes, u prezantua grupi muzikor ELITA 5 nga Tetova, me këngë nga repertori i vet, që u prit me shumë ovacione, madje edhe me përcjellje të këngëve nga shumë të rinj, të cilët edhe i hodhën valles.