Nuk ndalen problemet e banorëve të fshatrave Konjare të Mesme dhe të Epërme, ku ende po gërmohet rëra nga shtrati i lumit Pçinjë. Lidhur me këtë problematikë të vjetër, tre javë më parë reagoi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, pas së cilës ka marrë një shkresë nga kompania Europrogres, e cila i kryen gërmimet, se kundër tij do të ngrihet padi për shpifje nëse nuk kërkon falje. Snopçe po ashtu thotë se përveç problemeve me kompaninë që u shkatërron ambientin dhe arat, qytetarët vuajnë edhe presionin e policisë për reagimet e tyre.
“Deklarata është bërë në shenjë mbështetjeje për qytetarët e Konjares së Mesme dhe të Epërme të Petrovecit për mbrojtjen e mjedisit në ditën kur janë thirrur në polici për t’u marrë në pyetje. Së bashku me avokat ishim në stacionin policor për të parë se për çfarë arsye u thirrën në pyetje qytetarët”.
Kryetarët e bashkësive lokale janë të indinjuar jo vetëm nga kompania që dikur i është hequr koncesioni për shkak të shkeljeve, por edhe nga institucionet që nisën t’i përcjellin ata nga një instancë në tjetrën.
“Ne kemi reaguar shumë herë, por na refuzuan me rekomandim që t’i drejtohemi ndonjë instance tjetër në ndonjë zyre, ministri tjetër për ta zgjidhur atë problem. Në vitin 2020 u hoq koncesioni, tani sërish me rekomandim të Gjykatës Administrative i urdhëron Qeverisë që të rishqyrtojë vendimin për heqjen e koncesionit dhe qeveria nuk ka vepruar, pasi qeveria nuk ka vepruar, koncesionari merr të drejtën për të vazhduar me gërmimet”, tha Senad Camiq, kryetar i Bashkësisë Lokale Konjare e Mesme.
“Prej kohësh jemi përballur me presione, shantazhe dhe kërcënime dhe ministritë përkatëse po na dëmtojnë, duke lëshuar leje për gjoja rregullimin e rrjedhës së lumit Pçinja në atarin e fshatrave tona, me çka tani jemi në situatë të mos kemi ujë nëntokësor, nuk kemi ujë të pijshëm, të mos kemi ara për tokë për të punuar ndërsa ekzistimi i vetëm i popullsisë është bujqësia”, tha Rade Spasevski, kryetar i Bashkësisë Lokale Konjare e Epërme.
Banorët e këtyre vendbanimeve më herët organizuan protesta dhe kërkuan që të ndërpriten gërmimet në shtratin e lumit Pçinjë sepse po u shkatërron arat.