MERXHAN JAKUPI
Viteve të ’60-ta filloi një fluks i ndjeshëm i mërgimit të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi, për në shtetet perëndimore. Viteve të 70-ta dhe 80-ta, ky fluks u bë edhe më masiv te shqiptarët, pikërisht në periudhën e jetës në ish-federatën jugosllave.
Shqiptarët mërgimtarë, të tillë si ishin, hasën në vështirësi, pasi vinin nga një shoqëri rurale, patriarkale dhe tradicionale dhe duhej të integroheshin në kulturën dhe qytetërimin perëndimor, për dallim nga komunitetet e tjera që nuk i kishin këto vështirësi. Shqiptarët, si shoqëri patriarkale, tradicionale, ishin më shumë të lidhur me vendlindjen, ndaj dhe kurbeti për ta ishte plagë e rëndë. Vetëm pas viteve të 90-ta, ata i sollën familjet e tyre, kurse serbët, kroatët e boshnjakët shumë më herët kishin shkuar me familjet e tyre dhe ishin më të integruar në shoqërinë perëndimore. Viteve të 90-ta, ishin luftërat ballkanike, po ashtu dhe shembja e bastionit stalinist, me çka filloi eksodi i madh, më së shumti i rinisë shqiptare.
Një sociolog zviceran, në një gazetë shkruante për shtypjen e sistemeve tiranike e autoritare në Jugosllavi dhe Shqipëri, për çka rinia shqiptare kishte mbetur e pa integruar dhe e dhunshme. Sipas tij, kishte ndikuar edhe rritja e tyre në familje patriarkale.
Integrimi i popujve lindorë, mesdhetarë dhe ballkanikë në shoqëritë dhe qytetërimin perëndimor ka qenë dhe akoma mbetet si sfidë. Po ashtu, kjo sfidë ka qenë e pranishme edhe për shqiptarët, si shoqëri patriarkale, rurale dhe tradicionale. Integrim nuk do të thotë vetëm gjuha, puna, por është edhe kultura, emancipimi dhe qytetërimi. Integrim në qytetërimin e shoqërisë perëndimore është identiteti individual, të qenit i pavarur, të jesh sovran dhe zot i vetes. Pasojnë martesa e lirë, prona, vendbanimi dhe pavarësia e plot nga prindërit. Të gjitha këto ishin të pa përballueshme për shqiptarët e brezit të parë e të dytë të mërgimtarëve. Ishin sfida martesat e përziera me komunitete të tjera, sidomos për vajzat shqiptare, kurse për djemtë ishte më pak e dhimbshme. Martesat e vajzave shqiptare me të huajt, për brezin e parë ishin tragjike.
PREFEROHEN LIDHJE MARTESORE JO VETËM NGA VENDLINDJA
Brezi i dytë, që kishte shkuar nga fëmijëria apo kishin lindur në shtetet perëndimore, më së shumti preferojnë një lidhje martesore nga vendlindja, por edhe me vajza shqiptare që jetojnë në shtetet perëndimore. Kjo shkaku se ky brez kishte fituar paritet kulturor dhe fëmijët që kishin lindur jashtë ishin rritur paralelisht me dy kultura, atë patriarkale dhe liberale e urbane. Më së shumti ka qenë e vështirë për djemtë dhe vajzat që kishin kryer shkolla të larta dhe kishin statut më të lartë. Ndërsa për pjesën dërmuese ishte më e lehtë lidhja martesore në vendet perëndimore, ku jetojnë dhe punojnë.
Lidhjet martesore të çifteve që kishin lindur ose kishin shkuar në fëmijëri në mërgatë, më mirë funksiononin. Ky brez, me prindërit dhe familjet komunikojnë në gjuhën amtare, ndërsa në punë e publikë flasin në gjuhën e shteteve ku jetojnë. Statuti i tyre është më solid, kanë të ardhura të larta, sipas profesioneve. Martesat e tyre dhe fëmijët e tyre, në të ardhmen do të shkëputen tërësisht nga vendlindja apo vendi i gjyshërve dhe gjysheve të tyre, nga gjaku dhe fisi.
Ndërkaq, lidhjet martesore të brezit të dytë dhe të tretë, që do të arrihen të bëhen në vendlindje, këto martesa do të vazhdojnë edhe më tej ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe një pjesë të identitetit të origjinës. Kemi të rinj që janë integruar dhe kanë hapur biznese në mërgim. Janë bërë personalitete të shquara në jetën e atjeshme kulturore e sportive.
VLERAT E TRASHËGIMISË KOMBËTARE NË FUNKSION TË MBROJTJES SË IDENTITETIT
Shqiptarët si shoqëri patriarkale, tradicionale dhe konservatore janë duke evoluar dhe transformuar në një shoqëri liberale, pavarësisht kodeve dhe traditave të së kaluarës, që kanë vlera morale universale, megjithëqë këto vlera duhet të ruhen edhe në diasporën shqiptare.
Brezi i parë që shkoi në perëndim me familjet e tyre, më së shumti ishte brengosur për kanosjen që vinte nga asimilimi. Shumica nga brezi i parë janë munduar që t’i edukojnë fëmijët e tyre në përputhje me traditat, kodet, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare. Mirëpo, shpesh ndodhte që këto tradita të bien ndesh me qytetërimin dhe kulturën evropiane.
Sipas sociologëve, brezi i parë shumë pak i ka përgatitur dhe edukuar fëmijët, për të vazhduar integrimin, kulturën dhe emancipimin e fëmijëve të tyre. Sipas disa studimeve dhe sondazheve, shumica e mërgimtarëve, sidomos ata që kanë lindur atje, pikërisht për këto shkaqe, nuk do të kthehen në vendet e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Kjo do të thotë se nga brezi i dytë dhe i tretë i mërgatës shqiptare, nuk pritet që të kthehen gjithaq në vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Mjerisht, ekzistojnë gjasa të mëdha që këta breza të asimilohen dhe të shndërrohen në gjermanë, francezë, anglezë apo italianë. Ata, në të ardhmen, do të mund të deklarohen vetëm se me origjinë janë nga Ballkani, përkatësisht nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe trevat e tjera.