Shërbimet sekrete janë të parët që e nuhasin gjakimin e një personi për t’u shndërruar në despot, në tiran, në autoritar, në diktator! Personi me një gjakim të tillë, gjënë e parë që do ta bëjë është që t’i bindë shërbimet sekrete se vetëm informacioni i vet është i saktë ndërsa i shërbimeve ka nuanca të manipulimit. Prandaj, e ngrit në kult e në institucion të vërtetën e vet. Dhe krejt kjo metamorfozë shpirtërore bëhet ngase personi me synime despotike fillimisht është frikacaku më i madh që mund të ekzistojë në fytyrë të tokës
Nga Mr. Eset Shaqiri
Po e lexoja “diçiturën” e fundit të Shaqir Fetait, intalacionit në krye të BFI-së nga shërbimet që nuk kanë lidhje me këtë Organizatë dhe me islamin në përgjithësi dhe, sakaq para syve, sikur nisën, si në shiritin filmik, të më shfaqen personazhe të historisë që në mbamendjen e njerëzimit kanë ngelur vetëm si despotë, tiranë, diktatorë, autoritarë. Asnjëri prej tyre pushtetin nuk e ka kapur për shkak të aftësisë, shkathtësisë, zgjuarësisë apo karizmës prej lideri të mirëfilltë. Intriga, gënjeshtra, sjelljet prej anormali dhe psikopati (sepse vuajnë nga një paranojë e pashërueshme) ngelin vegla përmes të cilëve do të ngjiten majave të “liderizmit”!
“Engjëlli” brenda lëkurës së satanait
Despotët, autoritarët, imponohen si njerëz më të ditur, më të aftë në raport me autoritetet e mëparshme, me liderët e mendimit ndryshe. Për bashkëpunëtorë më të ngushtë despotët gjithmonë i afrojnë ata idividë që janë në gjendje që ta luajnë në mënyrë transparente anën e zezë të despotit, që janë në gjendje të vrasin, të burgosin, të shkatërrojnë gjithçka në emër të despotit i cili ka “personlitet engjëlli” brenda lëkurës së satanait! Ky despot i frikëson deri në bindje të githë bashkëpunëtorët e vet duke u thënë se është shumë i fortë, se nuk ka më të fortë se ai, se është në gjendje ta përmbys botën, aq i fortë që është! Natyrisht, këtë forcatë do ta gjejë pasi t’i dobësojë shërbimet sekrete që dikur e mbushnin me informacione të sakta dhe, pasi do të krijojë përshtypjen se e vërteta e vet është absolute, ndaj nuk do të ketë nevojë për shërbime sekrete sepse infrmacionet e tyre mund të jenë “fake”! Edhe nëse nxjerrin ndonjë dosje me nofkën “ORAO”, ju mos i besoni këtij shërbimi, sepse ata gënjejnë! Vetëm unë e them të vërtetën, thotë despoti!
“E vërteta” e diktatorit
Pra, diktatori, ose despoti, ose tirani, ose autoritari, sapo të ngjiten në pushtet, në hapin e vet të parë, sakaq, nisin ta krijojnë këndvështrimin prej nga duhet të vëzhgohet e vërteta, sepse ky sukses do ta bëjë shumë të fuqishëm dhe të rëndësishëm, ndërsa nga ana tjetër, edhe bashkëpunëtorët e vet do të jenë në gjendje që të mësohen shumë shpejt se e saktë është vetëm ajo që e thotë prijësi i tyre diktator!
Hapi i dytë i diktatorit është që ta forcojë bindjen tek të tjerët, sidomos te bashkëpunëtorët e vet të ngushtë se, ai kurrë nuk mund të jetë në gabim. Të gjithë gabojnë dhe, ata nuk mund të gabojnë nëse nuk do të jenë gjallë dhe, jan gjallë si rrjedhojë e “shpirtmirësisë” së diktatorit! Despotët gjithmonë e kanë monopolin mbi të vërtetën!
Kësisoj, ata që janë të ndershëm e të devotshëm, do të fillojnë të ndalojnë së thënuri të vërtetën, mercenarët e diktatorit do të hidhen në sulm për ta përhapur gënjeshtrën. Rritet servilizmi dhe gatishmëria për t’u shkrirë për diktatorin! Ata që rrugës do të gabojnë dhe do ta thonë eventualisht ndonjë të vërtetë, ata do të shantazhohen, sepse diktatori e ka të vërtetën e vet edhe mbi “rrebeluesi” të cilët, ose do të vetëpërjashtohen ose do t’i nënshtrohen diktatorit për t’u shndërruar në kavje për laboratoret ekspreimentale të diktatorit, despotit, tiranit. Dhe, sa më i fuqishëm në ngulfatjen e së vërtetës, aq më i madh do të duket pesonaliteti i diktatorit!
Mizori i thyen edhe veglat përmes të cilave vjen në pushtet
Miqtë personal të liderit diktator do të shëbejnë si bedena prej nga do të fluturojnë vetëm shigjetat e së vërtetës së diktatorit. Këta miq janë po ata vegla (qofshin këto edhe organizata, shërbime sekrete e parti) që e kanë ndihmuar diktatorin që të kapë pushtetin. Këta miq nuk do të mund t’ia mbajnë zhagun diktatorit prandaj edhe, sakaq, mund të shndërrohen në armiq të tij. Por, lideri i tyre tashmë i aftësuar për të zgjidhur probleme që shfaqen shtigjeve të egra të diktaturës, pa dyshim, do t’i eliminojë këta armiq dhe, për më afër vetes do të afrojë individë të rinj, të cilët nuk jepen pas idesë, traditës, sepse më fort parapëlqejnë që të thyejnë kurrizin e të përkulen para liderit të tyre diktator, i cili do t’u hap perspektiva të sigurta të rinjëve! Këta nuk vërejnë se tashmë diktatori është futur në rrethin vicioz të shkatërrimit dhe se perspektivën do ta kenë terr e skëterr!
E vërteta absolute e diktatorit
Tërë ky përshkrim mbi instalacionin diktatorial në krye të BFI-së a nuk e zbërthen më së miri dhe në mënyrë plastike Shaqir Fetain, i cili gjithkund mundohet ta shesë të vërtetën e vet se ai është reisul ulema, ndonëse edhe zogjtë e malit e dinë se si u ngjit majave të pushtetit! Është identik si personazhët historik me biografi prej diktatorësh! Shaqir Fetai gjithnjë mundohet ta shesë të vërtetën e vet si absolute! Për këtë të vërtetë ai është në gjendje të përbmys një botë të krijuar nga i Madhi Zot! Të vertetën e vet nuk e provon në debate, në diskutime, nëpër forume, nëpër ndeja, sepse nuk ka nevojë, sepse ai është i bindur se e vërteta e tij është “absolute”. Nisur nga kjo logjikë ai edhe rrenë, sajon gënjeshtra, iluzionet dhe halucinacionet personale i paraqet si saktësi dhe, sukseset eventuale i paraqet si të tijat personale, ose si të arritura që evidentohen që nga instalimi i tij në krye të BFI-së!
Parrulla që deshifron synimin e autoritarit
Kjo u pa edhe në “diçiturën” e tij nr. 27, të publikuar në fb-un e vet. Aty Shaqir Fetai mundohet ta bindë botën se, që kur u bë që ky të prezantojë nëpër konerenca ndërkombëtare, islami ka nisur të kuptohet më mirë, jeta islame anekënd botës ka marrur hov, kontributi i tij në këtë progres është i pakontestueeshëm! A nuk është kjo ëndërr e çdo diktatori, tirani, hipokriti ose, a nuk duket kjo si një lakmi e “ushtarit të djallit”?
“Vet fakti që ishin ftuar krerët e Bashkësive dhe Meshihateve islame në botë dëshmoi në ngritjen e vetëdijes organizative dhe shpjeguese të Islamit konform burimeve të tij me qëllim që të mos lihet hapsirë qëllimeve destruktive, shpjegimeve frakcioniste, mendimeve radikale e ekstremiste, përçarjes, dhe ndikimeve të dëmshme për Islamin, muslimanët dhe njerëzimin në përgjithësi”, thotë Shaqir Fetai në paçavurën e vet numër 27! Pra, nëse nuk do të ftohej Shaqir Fetai në këtë Konferenc, islami burimor nuk do të ishte i mundshëm të perceptohet dhe të kuptohet në botë dhe, meqë e kanë thirrur atëherë këtu mbyllen të gjitha thashethemet mbi mendimin radikal, mbi ekstremizmin, përçarjen, fraksionizmin etj. dukuri këto shumë të fuqishme dhe shumë prezente në përditshmërinë tonë që kur në krye të BFI-së u instalua Shaqir Fetai! Kur kemi pasur “fetfa” personale nëpër tik-toka e fb-ka më shumë se sot, nga hoxhallarë të diskutueshëm, ndërsa para tyre hesht Shaqir Fetai dhe “institucioni” i tij! Kur kemi pasur “bashkësi islame” më shumë se sot që kur Shaqir Fetai u hodh në ngulfatjen e kësaj të vërtete duke u munduar që atë ta paraqesë si “të vërtet fake”! Xhemat më të fraksionuar kurrë nuk kemi pasur siç e kemi sot. Këto dukuri nuk i durojnë bashkëpunëtorët e tij, prandaj edhe tri herë radhazi janë munduar që ta shkarkojnë. Por, përhapjen e së vërtetës personale Shaqir Fetai e ka mision, edhe pse ajo e vërtetë mund ta ngulfasë islamin dhe jetën islame institucionale në vend!
Diktatori ka vetëm një temë
Shaqir Fetai vazhdon me cinizmin e vet të djallëzuar: “Për këtê e gjithë Konferenca kaloi në shpjegimin e parimeve islame si dhe prezentimi i tij i mesatares (el vesatijeh vel i’tidal) që është edhe drejtim i pastër dhe i vërtet i Islamit. Koncepti i pastër monoteist, ndërtimi i morales tek besimtari, forcimi i familjes së shëndoshë, harmonia e jetës me njerëzit në përgjithësi pa dallim kombi e race, paqja, toleranca, solidariteti dhe bashkjetesa, zhvillimi në sfera të ndryshme të jetës, unitetit i besimtarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë ishin temat kyqe për të cilat u debatua dhe u bisedua.” E vërteta është se Shaqir Fetai as që di se çka është biseduar dhe çka është debatuar, sepse ai nuk e njeh gjuhën arabe! Ai nuk u beson këtyre temave, sepse tema e tij është më e rëndësishme dhe unikale! Tema e tij ëshë si ta zgjasë sa më shumë pushtetin e vet diktatorial, jo në demonstrim të fuqisë, sa të hipokrizisë dhe të vërtetës së vet. Flet për një Konferencë, në të cilën ka qenë i ftuar edhe vetë ai, prandaj për herë të parë në këtë Konferencë shpalosen parimet islame! Po në konferencat e tjera tradicionale, çfarë është biseduar, apo është përhapur mendimi radikal e ekstremist! Për herë të parë paskemi “koncept të pastër monoteist”! A nuk është ky ekstrati i hipokrizisë së Shaqir Fetait?
Autokrati: Mos u besoni të vertetave që flasin mbi vjedhjet, mbi spiunimet, mbi tradhëtinë si mision brenda BFI-së
Tutje, Shaqir Fetai thotë: “Në të gjitha Konferencat botërore të vendeve muslimane tashmë islamit i qasen me një maturi dhe thellësi të mendimit duke synuar që Islami të jap ate kryesoren si fe e mesatares…!” Pra, që kur nisi të marrë pjesë nëpër konferenca botërore edhe Shaqir Fetai, tashmë islamit i qasen me një maturi! Po si ka qenë më herët nëpër Konferenca të ngjashme botërore? A nuk flet kjo përpjekje dhe ky këndvështrim i Shaqir Fetait, gjakimin e tij për kapjen e majave botërore, synim diktatorial për ta përhapur të vërtetën e vet, edhe pse nuk e ka të qartë dhe nuk e ka aftësinë për ta kuptuar dhe për ta zbërthyer profesionalisht “islamin si fe e mesatares”! E vëteta e Shaqir Fetait duhet të jetë absolute edhe për sa u përket fenomeneve dhe parimeve islame!
Shaqir Fetai vazhdon tutje me cinizmin e vet plot helëm gjarpëri duke e përhapur të vërtetën e vet absolute: bashkësia e tij fetare na qenka përfaqësuese e denjë e myslimanëve të Ballkanit dhe përfaqësuese-ambasadore e islamit në Ballkan dhe Evopë! Pra, mos u besoni të vertetave që flasin mbi vjedhjet, mbi spiunimet, mbi tradhëtinë si mision brenda BFI-së; mos i besoni të vërtetës për sektarizim të xhematit dhe frakcionim të BFI-së; mos i besoni vjedhjes, tëhuajësimit dhe shkatërrimit të vakëfit, mos i besoni fjalëve që flitet për kontrabandues të refugjatëve, mos e përhapni të vërtetën për atë se si bashkëpunëtorët e ngushtë të Shaqir Fetait brenda natës na dalin boss-a, bisnesmenë, pasanikë me prona të paimagjinueshme, ndonëse me një rrogë mesatare, por, besoni të vërtetës së Shaqir Fetait i cili thotë: “Bashkësia fetare e Islame me pjesmarrjen e saj në këto Konferenca dhe ftesat e rregullta si dhe dhënia e pozitës së lartë në protokolet e tyre paraqet përfaqësues të denjë tē muslimanëve të Ballkanit”, duke e përfunduar të vërtetën e vet: “bashkësive islame për muslimanët e Ballkanit si ambasador – prezentues të Islamit nē Ballkan dhe Europë”, edhe pse nuk ka BFI në Evropë për të cilën është e përhapur e vërteta absolute për një Institucion ku kultivohet tradhëtia, spiunimi kontrabanda e ndihmave humanitare, vjedhja e fitrit, zeqatit, kurbanëve, haxhit, vjedhja e vakëfit, dhe heshtja apo mbulimi i të gjitha këtyre dukurive antiislame e antihumane!
Duke qenë e vërtetë e pamohueshme fakti që në këtë “diçiturë” të Shaqir Fetait ka plotë rrena, hipkrizi, “të vërteta diktatoriale”, cinizëm e tallje me islamin, për herë të parë Shaqir Fetai, që kur nisi t’i publikojë diçiturat e veta paçavra si “aforizma” të një mendimtari të pashoq, ai për herë të parë nuk e përmbyll diçturën me frazën e tij refren “kështu na do Zoti”! Shaqir Fetai është i vetëdishëm se cinikët dhe hipokritët nuk i do Zoti, ndaj dhe nuk shkon më tej nëpër shkallët e mëkatit!