Zyrtare: Spalletti trajner i Italisë

Zyrtare: Spalletti trajner i Italisë

Luciano Spalletti zyrtarisht ka nënshkruar kontratë për t’u bërë trajner i Italisë nga 1 shtatori deri pas Botërorit të 2026-ës, duke filluar kështu një betejë ligjore me Napolin

Zyrtarizimi është bërë përmes një deklarate nga FIGC – Federata Italiane e Futbollit – këtë mbrëmje.

“FIGC lajmëron se ka arritur marrëveshje me trajnerin toskan, i cili do ta marrë rolin e trajnerit nga 1 shtatori. Prezantimi zyrtar do të bëhet në Coverciano, qendrën stërvitore ku do të mbahen stërvitjet për ndeshjet kundër Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës”.
Ai do ta zëvendësojë Roberto Mancinin, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë një javë më parë.

Spalletti u largua nga Napoli më 30 qershor me marrëveshje dy palëshe pasi që ia fitoi kësaj skuadre titullin pas 30 viteve.

Klubi e lejoi atë të largohet vetëm nëse ai nënshkruan një dokument shtatë faqesh ku përfshin një klauzolë për 3 milionë euro që do të paguhet nëse ai nuk e respekton atë kontratë.

Avokatët e FIGC mendojnë se kjo ka të bëjë vetëm me klubet me të cilët është rival Napoli dhe jo me një federatë apo me Kombëtare, por Presidenti Aurelio De Laurentiis ka ritheksuar se ajo përfshin edhe Kombëtaren.

“Ne e mirëpresim Spallettin”, tha Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina si pjesë e deklaratës formale të zyrtarizimit.

“Kombëtarja ka nevojë për një trajner të madh dhe unë jam shumë i lumtur që ai do të udhëheq Azzurri. Entuziazmi i tij dhe besimi i tij kanë qenë fundamentale për sfidat që e presin atë si trajner i Italisë në muajt në vazhdim”.