Lionel Messi po vazhdon të dhurojë spektakël në futbollin amerikan.
Ylli argjentinas e ka realizuar mbrëmë një tjetër dygolësh në fanellën e Inter Miamit.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë ishte hero i ekipit të tij në duel me FC Dallas.
Kampioni i botës ishte protagonist në barazimin 4:4 në lojën e rregullt, ndërsa më pas shënoi edhe nga 11 metërshi në gjuajtjet e penalltive, ku festuan ai me shokë pasi fituan 5:3.
36 vjeçari e kaloi ekipin “pink” në epërsi qysh në minutën e gjashtë pasi shënoi nga vija e 16 metërshit me një gjuajtje precize pasi e mori një top nga e majta nga shoku i tij i moçëm, Jordi Alba.
Më pas, Messi doli në skenë edhe në minutën e 85-të duke shënuar gol spektakolar nga gjuajtja e lirë për ta barazuar rezultatin në 4:4.
Argjentinasi kështu arriti në kuotën e 7 golave në 4 ndeshje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa e çoi Inter Miamin në fazën finale të Kupës së Ligës.