Xhaferi: Ideja evropiane e 120 vjetëve më parë për liri, bashkim dhe prosperitet është tashmë e arritshme

-Ideja evropiane e 120 viteve më parë nga Manifesti i Krushevës për liri, bashkim dhe prosperitet është tashmë e arritshme. Tani, siç besoj e dini, Republika e Maqedonisë së Veriut, qytetarët dhe para së gjithash faktorët politikë në vend janë para një vendimi tjetër të madh dhe vendimtar. A do të ecim përpara drejt integrimit euroatlantik të vendit, diçka për të cilën kemi vendosur si shtet që nga pavarësia në 1991, apo do të ngecim në rrugën e verbër ballkanike që nuk na çon askund, është një zgjedhje që duhet bërë duke kapërcyer tekat, duke kuptuar realitetin dhe duke dalë nga interesat e ngushta dhe egoiste partiake që premtojnë një të ardhme tjetër, që edhe për më optimistët është fatamorganë jorealist, tha sot nga “Meçkin Kamen” kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Siç theksoi Xhaferi në fjalimin e tij në tubimin e madh publik me rastin e festës kombëtare 2 gushti, Ditës së Republikës – Ilindenit, këto nuk janë kohë për arsyetime naive që do të sjellin pasoja jashtëzakonisht të pakthyeshme nga të cilat askush nuk do të mundet më pas të tërhiqet.

“Është koha për maturi, është koha për përgjegjësi dhe vetëdije e ndërgjegje të lartë dhe për të marrë vendimin më të mirë për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve. Sado e vështirë të jetë, megjithatë është një vendim shtetëror dhe duhet marrë përgjegjësi. Edhe nëse është me çmimin e ndonjë disfate politike në të ardhmen, me koston e pasojave pozitive apo negative, e ardhmja do të konfirmojë nëse është marrë vendimi i duhur. Sepse, në kontekstin e sotëm, nëse analizojmë vendimet e dikurshme historike, dhe kishte shumë të tilla, edhe atëherë kishte nga ata që mendonin se e kishin gabim, por koha dhe statusi aktual i njohur dhe i respektuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekstin ndërkombëtar konfirmon se ato ishin vendimet e duhura. Duke filluar nga referendumi i pavarësisë në vitin 1991, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, anëtarësimi i plotë në Bashkimin e NATO-s, me të gjitha përfitimet që gëzojmë si anëtare”, nënvizoi Xhaferi.

Sipas tij, ne kemi një vend të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë.