Arabia Saudite është shndërruar në tregun kryesor të transferimeve këtë merkato teksa janë të shumtë yjet që gjithë e më shumë po zgjedhin Lindjen e Mesme si destinacionin e preferuar në karrierë.
Vetëm këtë verë emra si Benzema, Kante, Mendy, Koulibaly, Mahrez apo edhe Ruben Neves iu bashkuan Cristiano Ronaldos që “emigroi” në Arabi në merkaton e janarit duke lënë Manchester United.
Së fundmi, është trajneri Pep Guardiola i cili paralajmëron se në të ardhmen edhe shumë yje të tjera nga Europa mund të largohen nga kampionatet elitare dhe të transferohen në Arabi pasi sipas spanjollit është e pamundur që arabët t’i konkurrosh në aspektin financiar.
“Arabia Saudite ka ndryshuar totalisht merkaton, para disa muajsh ylli i vetëm atje ishte Cristiano Ronaldo. Por, tashmë janë shtuar edhe shumë emra të tjerë dhe jam i bindur se në të ardhmen edhe më shumë do të preferojnë Arabinë. Klubet europiane duhet ta kuptojnë mirë këtë fenomen, ne te City e provuam me rastin Mahrez. Ai mori një ofertë që nuk mund të arrihej nga asnjë klub europian dhe ne nuk mund ta refuzonim”, u shpreh Guardiola.