Të premten në mbrëmje, në Parkun Sportiv të Liqenit Dongan në Chengdu të provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore u hapën Lojërat e 31-ta Universitare Botërore Verore. Më shumë se 6 000 sportistë nga mbi 160 vende e rajone do t’i tregojnë botës aftësitë e tyre gjatë kësaj veprimtarie 12-ditore.
Presidenti kinez Xi Jinping në ceremoninë e hapjes(Foto:Xinhua)
Universiadën e deklaroi të hapur presidenti kinez Xi Jinping.
Ceremonia e hapjes u përqendrua te studentët sportistë, duke shfaqur miqësinë, vëllazërinë, drejtësinë, këmbënguljen dhe ndershmërinë, bashkëpunimin dhe punën e palodhur. Ajo përfshiu ceremoninë e hyrjes së sportistëve, shfaqje kulturore e sportive dhe ceremoninë e ndezjes së pishtarit.
Më parë në mesditë, kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan organizuan një pritje në qytetin Chengdu, për mysafirët e huaj që marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Universiadës. Në fjalimin e rastit, Xi theksoi që Kina e ka përmbushur me zell premtimin e saj solemn për të siguruar zhvillimin e Universiadës në Chengdu, duke kontribuuar kështu në zhvillimin e kauzës ndërkombëtare të sporteve rinore.
Objektet e ndryshme për Lojërat e 31-ta Universitare Botërore Verore të Federatës Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU) në qytetin Chengdu të Kinës Jugperëndimore janë ndërtuar me dizajne të gjelbra dhe me lëshim të ulët karboni falë teknologjisë, në përputhje me konceptin e Lojërave “Gjelbërim, mençuri, gjallëri dhe ndarje e përbashkët”.
Përveç ndërtimit të 13 pallateve të sportit dhe stadiumeve të reja, organizatorët kanë rinovuar 36 objekte të tjera të tilla në qytet dhe i kanë kthyer ato në vende loje, duke ndihmuar në uljen e kostos dhe në lëshimin e karbonit.
Sipas Komitetit Organizator të Universiadës së Chengdu-së, me qëllim që të sigurohet udhëtimi i gjelbër gjatë Universiadës, do të përdoren 1 340 autobusë me energji të reja dhe më shumë se 1 100 makina me energji të reja për shërbimet e transportit gjatë Universiadës.
Qendra Sportive “Xiangcheng”, ku do të organizohen ndeshjet e vaterpolit, është e rrethuar me trotuare të ndërtuara nga materiale të përshkueshme dhe hapësirë të gjelbër të fundosur, me pëlhurë që mbledh shiun e tokë të përshkueshme, të cilat janë të lidhura me sistemet e mbledhjes dhe ruajtjes së ujit të shiut të Qendrës.
Uji i mbledhur mund të përdoret për pastrim, ujitje dhe mbushjen e kullës ftohëse të sistemit qendror të ajrit të kondicionuar. Parashikohet që në këtë objekt të kursehen më shumë se 3 000 tonë ujë gjatë gjithë vitit.
Mbi 20 000 vullnetarë ofrojnë shërbime në pika të ndryshme. Ata jo vetëm do të ndihmojnë sportistët dhe trajnerët të kenë një kohë sa më të mirë gjatë Lojërave, por do të kenë edhe vetë një përvojë të paharrueshme në qytetin Chengdu.
Universiada, e cila zhvillohet nga 28 korrik deri më 8 gusht, do të përfshijë 269 ndeshje e gara në 18 sporte. Përveç 15 sporteve të detyrueshme, ajo përfshin gjithashtu tre sporte me zgjedhje: kanotazhin, qitjen dhe artet luftarake.