Tottenham Hotspur do të duhet të shesë Harry Kane këtë verë nëse ai nuk nënshkruan një kontratë të re me klubin.
Ky lajm padyshim se është i mirëpritur për Bayern Munichin, që po vazhdon me përpjekjet për të nënshkruar me sulmuesin anglez
Gjigantit gjerman i janë refuzuar dy oferta nga Tottenhami deri më tani.
Megjithatë, besohet se Kane i ka dhënë fjalën “Bavarezëve” se dëshiron të bashkohet me ta dhe nuk do të nënshkruajë një marrëveshje të re me londinezët.
“The Telegraph” ka raportuar se pronari i Tottenhamit, Joe Lewis, ka informuar Daniel Levyn se duhet ta shesë 29-vjeçarin gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, nëse nuk mund të arrihet marrëveshja për një kontratë të re.
E thënë thjesht, Lewis nuk është i përgatitur të shohë yllin më të madh të klubit të largohet falas në vitin 2024 dhe synon që së paku të fitojë financiarisht nga shitja e tij.
Tottenhami besohet se kërkon 100 milionë euro për shitjen e kapitenit të tyre.
Kësisoj, tani Bayerni pritet të bëjë një ofertë të tretë që mund të jetë mbi 100 milionë euro. Nëse kjo ndodh, Daniel Levy mund të ndihet i detyruar të pranojë dhe të ndjekë urdhrat nga pronari i klubit.