Mbappe rikthehet sot në stërvitje me PSG, javë vendimtare për të ardhmen e francezit

PSG ka planifikuar ditën e sotme për të filluar stërvitjen për sezonin e ri në orën 16:00.

Kylian Mbappe do të jetë atje, madje edhe Nasser Al Khelaifi, ku pritet gjithashtu të ketë një komunikim të ri mes tyre. Sulmuesi francez është i vendosur, duke këmbëngulur se nuk dëshiron të rinovojë kontratën edhe për një vit tjetër, por të jetë sezoni i tij i fundit me PSG. Nga ana tjetër, presidenti i klubit, Al Khelaifi, i ka dhënë ultimatum lojtarit dhe i ka thënë rinovimin ose largimin e menjëhershëm nga klubi.

Herën e fundit që Mbappe ka folur për këtë situatë, ka theksuar se dëshiron që ta mbyllë këtë sezon me fanellën e PSG-së. Drejtuesit e klubit nuk e pranojnë këtë gjë, pasi nëse ai qëndron dhe nuk rinovon, në fund të sezonit së ardhshëm do të largohej me parametra zero, dhe kjo sigurisht do të ishte një humbje stratosferike për klubin francez.

Real Madrid ndodhet në cep, duke vrojtuar me kujdes situatën dhe duke pritur se çfarë do të ndodhë me të dhe klubin. Spanjollët ende nuk kanë piketuar apo transferuar një sulmues të ri për post-Benzema, pasi i vetmi që është në radarët e tyre, është pikërsiht Mbappe.

Sipas të gjitha mediave franceze, kjo javë do të jetë vendimtare për të ardhmen e Kylian Mbappe.