Sonte takimi Shkëndija – Haverfordwest County

Emocionet europiane sapo kanë nisur për skuadrat “kuqezi” dhe tashmë është momenti edhe për Shkëndija Tetovës.

Skuadra tetovare do të luajë ndeshjen e parë kualifikuese në UEFA Conference League dhe do të masë forcat përballë Haverfordwest County.

Shkëndija e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë, larg kreut, por tashmë fokusi i vetëm është Europa.

Skuadra e cila drejtohet nga Ardian Nuhiu do të luajë për të nëntin edicion radhazi në arenën europiane, ndërsa sezonin e kaluar, tetovarët kaluan dy raundet e para në Conference League, por në fund aventura e tyre u ndal përballë suedezëve të AIK.

Eliminimi erdhi nga penalltitë, me Shkëndijën që sezonin e kaluar nuk e njohu humbjen në kohën e rregullt apo në shtesë, dhe nëse përjashtojmë serinë e penalltive përballë skuadrës nga Stockholm-i, tetovarët regjistruan 3 fitore dhe 3 barazime në gjashtë ndeshje, ecuri kjo që i rrit ndjeshëm kreditet në këtë raund të parë kualifikues.

“Kuqezinjtë” kanë pësuar ndryshime gjatë merkatos, me disa largime, por mbi të gjitha me përforcime cilësore, me Shkëndijën që ka “peshkuar” edhe në Shqipëri.

Sezon i ri, kundërshtar i ri, por me të njëjtin objektiv dhe dëshirë, për të tentuar gjithçka për gjithçka, ndërsa përballë është skuadra uellsiane e Haverfordwest.

Një kundërshtar gati i panjohur dhe mund të quhen debutues, pasi më parë, uellsianët kishin luajtur vetëm 180 minuta në kualifikueset ish-Kupës UEFA (sot Europa League) në edicionin e largët 2004-2005.

Skuadra u rendit në vendin e shtatë sezonin e kaluar, ndërsa triumfoi në finalet e “Play-Off” pas përfundimit të sezonit të rregullt, por sa i përket historisë, Haverfordwest nuk ka shumë për t’u krenuar.

Ekipi i Pennock ka një ndërthurje të lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë, ndërsa një pjesë e tyre kanë pasur një të kaluar edhe në kategoritë e ulëta të Anglisë.

Ndaj, në letër Shkëndija niset si favorite për të kaluar në raundin e dytë, me sfidën që do të luhet në Shkup duke nisur nga ora 20:00.