NATO do të ftojë Ukrainën të bëhet pjesë e Aleancës kur vendet anëtare të bien dakord dhe të plotësohen kushtet pa pasur nevojë për Plan veprimi të anëtarësimit që nënkupton se Ukrainës nuk do t’i kërkohen reforma ekonomike dhe politike. Sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se Rusia nuk vendos se cili vend bëhet anëtare e NATO-s. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i cili ishte pjesë e samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, priste vendim më konkret por u shpreh mirënjohës për thjeshtësimin e procedurës.
“Ne e konfirmojmë se Ukraina do të bëhet pjesë e NATO-s. Ukraina, natyrisht, ka të drejtë të zgjedhë rrugën e saj dhe në çfarë lloj marrëveshjesh sigurie duan të jenë pjesë. Kjo është fjalia e parë e paragrafit për të cilin ne ramë dakord sot sa i takon anëtarësimit të Ukrainës dhe rrugën e saj përpara. Dhe kjo është një e drejtë themelore për çdo komb dhe për këtë arsye nuk mund të lejojmë kurrë që Moska të fillojë të vendosë se kush mund ose kush nuk mund të jetë anëtar i NATO-s. Rusia ka qenë kundër çdo zgjerimi të NATO-s. U takon aleatëve të NATO-s dhe Ukrainës të vendosin se kur do të bëhen anëtare. Moska nuk ka të drejtën e vetos për këtë”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në bashkëpunim me NATO-n dhe ushtarët tanë kanë përvojën më të freskët të bashkëpunimit me anëtarë të ndryshëm të aleancës. Përdorimi i shkathët i armëve të NATO-s nga ushtarët tanë ka dëshmuar tashmë se demokracia globale është më e fortë se çdo kërcënim terrorist kundër nesh. Në të njëjtën kohë, edhe gjatë një lufte të gjerë me Rusinë, Ukraina vazhdon zbatimin e reformave në kuadrin e rrugës sonë të integrimit në BE. Është e përcaktuar qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe po e bëjmë. Pra, ne e vlerësojmë vërtet faktin që plani i veprimit për anëtarësim nuk është i nevojshëm”, tha Volodimir Zelenski, President i Ukrainës.