Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Kinës që të “ndalë kërcënimin rutinë” që u bën anijeve të vendeve të tjera që kanë pretendime për Detin e Kinës Jugore, duke riafirmuar mbështetjen për një vendim të një gjykate arbitrazhi të vitit 2016, të cilin Kina tha të mërkurën se nuk njeh.
Shtatë vite më parë gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë arriti në përfundimin se pretendimi i Pekinit për pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore, ishte i pabazë. Çdo vit në këtë det qarkullojnë mallra në vlerën e rreth 3 trilionë dollarëve.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller tha se vendimi ishte përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm për Filipinet dhe Kinën, dhe i kërkoi Pekinit të zbatojë ligjin ndërkombëtar.