Messi mezi pret ta nisë eksperiencën e re amerikane

Lionel Messi nuk është aspak pishman me vendimin e tij për t’iu bashkuar Inter Miamit.

Ylli argjentinas madje mezi po pret ta nisë eksperiencën e re amerikane pasi arriti marrëveshje me klubin e MLS-së, duke i dhënë kështu fund përvojës së gjatë në futbollin evropian.

36 vjeçari ka arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën, ndërsa atij pritet t’i bëhet një prezantim special të dielën, shkruan “Reuters”.

“Jam i lumtur me vendimin që e kam marrë. Jam i gatshëm dhe i uritur për ta nisur këtë sfidë të re”, deklaroi Messi në një intervistë me një televizion amerikan.

“Mentaliteti im dhe koka ime janë gati për këtë sfidë dhe do të mundohem, kudo që jam, që ta jap maksimumin për veten dhe për klubin, që të vazhdoj të paraqitem në nivelet më të larta”, vazhdoi shtatë herë fituesi i Topit të Artë.

Klubi po bëhet gati për ta bërë një event special për kampionin e botës, i cili do të prezantohet në “DRV PNK Stadium” në Fort Lauderdale.

“Tifozët do të mund ta shijojnë një natë të madhe, në fushën e blertë dhe më gjerë”, njoftoi klubi amerikan, duke shtuar se biletat do të jenë gratis për këtë ngjarje, për ata që do t’i kenë biletat vjetore.

Messi pritet ta bëjë debutimin e tij në ekipin e ri më 21 korrik në përballjen e Kupës së lIgës kundër ekipit meksikan, Cruz Azul.