Pas rebelimit të Wagner, mbyllet grupi mediatik i Prigozhinit në Rusi

Grupi mediatik i kontrolluar nga lideri i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, është mbyllur në atë që raportohet si hakmarrje ndaj tij për rebelimin e 24 qershorit.

Yevgeny Zubarev, kreu i faqes së lajmeve RIA FAN të Prigozhinit, njoftoi në mbrëmjen e 1 korrikut se kompania po mbyllej, pa dhënë ndonjë arsye për këtë vendim.

RIA FAN është media më e spikatur e grupit Patriot Media të Prigozhinit, që në përgjithësi mban qëndrime pro-Kremlinit, duke ofruar edhe raportim pozitiv për aktivitetet e Prigozhinit dhe duke sulmuar rivalët si guvernatorin e Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov.

Gazeta e kontrolluar nga Prigozhini, Nevskiye Novosti, në Shën Petersburg njoftoi gjithashtu se po e ndërpret publikimin.

Gazeta Kommersant raportoi më 30 qershor se mbikëqyrësi shtetëror i mediave ruse, Roskomnadzor, kishte bllokuar faqet e internetit të mediave të Prigozhinit pa dhënë ndonjë arsyetim për këto veprime.