Mourinho e refuzoi ofertën e majme nga Al-Hilal

Jose Mourinho nuk e ka ndërmend të largohet nga Roma.

Trajneri portugez e ka refuzuar një ofertë të majme që i ka ardhur nga Arabia Saudite, e cila ua ka vënë syrin yjeve të futbollit evropian, përfshirë këtu futbollistët dhe trajnerët.

Eksperti i transfereve, Fabrizio Romano raporton se klubi i Saudi Pro League, Al Hilal ia ka bërë një propozim joshës ish-trajnerit të Portos, Chelseat, Interit, Real Madridit, Manchester Unitedit e Tottenhamit, por që “Special One” e ka kthyer mbrapshtë këtë ofertë, përcjell “Gazeta Express”.
60 vjeçari e kishte në pjatë një rrogë prej 30 milionë eurosh në vit, por e refuzoi atë sepse është i fokusuar në projektin që është duke e ndërtuar me Romën.

Me “Giallorossi”, trajneri i njohur e fitoi Ligën e Konferencës dhe shkoi në finale të Ligës së Evropës, ndërsa në sezonin e ardhshëm do të mundohet ta fitojë titullin e kampionit në Itali, e pse jo të jetë i suksesshëm edhe në garat evropiane.