MERXHAN JAKUPI
Sipas disa historianëve, brenda një shekulli, një ose dy herë ndodhin luftërat. Te shqiptarët brenda shekullit të kaluar ndodhën dy luftëra. Ishin luftërat ballkanike, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ku lindi gjysma e shtetit shqiptar – Shqipëria londineze. Për gjysmën e kombit që mbeti jashtë trungut amë, lufta në fillim të shekullit 20 ishte e pa kryer. Ata vazhduan rezistencën dhe në fund të shekullit 20, filloi lufta e dytë. Pas dështimit të doktrinës pacifiste, në skenë doli UÇK-ja, për çlirimin e gjithë trojeve shqiptare dhe, në fund, realizimi i ëndrrës për bashkim kombëtar. Krerët ushtarakë, duke parë se ky projekt dhe kjo platformë është utopike, ata e ndryshuan agjendën. UÇK-ja u nda në tre fraksione, ndërsa i dërguari i posaçëm, diplomati suedez, Karl Bild, atë e quajti si një lis me tri degë.
INJORIMI NGA NDËRKOMBËTARËT
Krerët ushtarakë të Luginës së Preshevës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ndryshuan doktrinën dhe diskursin politik. Të emancipuar dhe të moderuar, dolën me tezën për mos ndryshimin e kufijve. Krerët ushtarakë të Luginës së Preshevës, si kërkesë patën autonominë politike ose administrative, kurse krerët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut dolën me opsionin që shqiptarët janë popull autokton dhe duhet të jenë të barabartë e shtetformues.
Sipas historianit Jusuf Buxhovi, lufta e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë unike dhe heroike. Ata morën territore dhe ishin të gatshëm të luftonin deri në ushtarin e fundit. Faktori ndërkombëtar dhe diplomatët perëndimorë kishin lënë liderët e kombit që ishin në margjina dhe ishin kthyer me kokë nga krerët e ushtrisë çlirimtare. Pushteti ishte në dorë të komandantëve, për t’u zgjidhur ngërçi dhe çështja e konfliktit. Për Uashingtonin dhe Brukselin, ishte me rëndësi që Maqedonia të mos shpërbëhet, kurse çdo model, platformë, konfederatë, federalizim ose kantonizim ishte në pajtueshmëri me pikëpamjet e tyre.
Faktori ndërkombëtar bënte presion në bisedime te të dy palët. Shqiptarët në bisedime, si palë ishin shumë të fortë dhe kërkesat e tyre do të plotësoheshin. Po të vazhdonin luftën, ekzistonte frika që të ndodhte skenari i Sarajevës, aq më shumë se Shkupi si kryeqytet ishte 14 km larg kufirit me Kosovën dhe ishte i rrethakuar me fshatra etnikisht të banuar me shqiptarë.
Në bisedime me faktorin ndërkombëtar, kërkesa e shqiptarëve ishte që Maqedonia si model të mos jetë shtet nacional unitar, porse të jetë sipas modelit të garantuar me kushtetutë, një shtet i përbërë nga dy etnitete të mëdha, maqedonas dhe shqiptarë etnikë, që ishin mbi 30 për qind të popullatës, ku do të ishin edhe minoritetet e tjera, si turqit, boshnjakët, serbët, vllahët e tjerë.
KTHESA ENIGMATIKE
Mbetet enigmë dhe fatkeqësi në përmasa historike se si shqiptarët në bisedime ndryshuan konceptin dhe humbën shansin historik. Faktori ndërkombëtar, duke parë se pala shqiptare kishte lëshuar pe dhe kishte hequr dorë nga projekti, se ata u treguan naivë ose pa koncept, ndërsa pala maqedonase tregohej se ishte e gatshme që t’i përmbush kërkesat e shqiptarëve për autonomi, federalizim ose kantonizim. Por, sipas historianit Buxhovi, vetë kreu ushtarak i UÇK-së lëshoi pe në emër të paqes dhe ndaljes së konfliktit, duke u gjunjëzuar para diplomatëve perëndimorë.
Sipas Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët fituan disa të drejta ligjore dhe mbetën me të njëjtin status si edhe minoritetet e tjera: turqit, serbët, boshnjakët e të tjerët. Maqedonia edhe më tej mbeti shtet-komb i maqedonasve dhe i etniteteve të tjera. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbetën nën aparteid dhe segregacion, sikur në periudhën e Millosheviqit.
Kështu, dy luftërat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës, mbetën të pa kryera dhe të dështuara. Çështja dhe kauza e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të Luginës së Preshevës mbetën si një sindromë ballkanike. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Luginës së Preshevës në luftë dolën fitues, ndërsa në paqe humbës.