Kupa e Botës për Klube me format të ri nga viti 2025, FIFA cakton vendin organizator

Kupa e Botës për Klube në vitin 2025 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar zyrtarisht FIFA këtë të premte.

Kupa e Botës për Klube pas dy viteve do të zhvillohet me një format të ri, për të cilin ishte vendosur në fund të vitit të kaluar.

FIFA sot njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë nikoqirët e parë të këtij turneu.
“Kupa e Botës për Klube FIFA 2025 do të jetë kulmi i futbollit elitar profesionist të klubeve për meshkuj dhe me infrastrukturën e nevojshme së bashku me një interes masiv lokal, Shtetet e Bashkuara janë nikoqiri ideal për të nisur këtë turne të ri global. Me disa nga klubet më të mira të botës tashmë të kualifikuar, tifozët nga çdo kontinent do të sjellin pasionin dhe energjinë e tyre në Shtetet e Bashkuara pas dy vitesh për këtë moment historik të rëndësishëm në misionin tonë për ta bërë futbollin vërtetë global”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Kujtojmë se Kupa e Botës për Klube nga viti 2025 do të zhvillohet me 32 ekipe, në një format të njëjtë si ai i Kupës së Botës, në të cilin marrin pjesë ekipet kombëtare.

Me formatin e ri, Kupa e Botës për Klube do të organizohet çdo katër vjet.