Gërvalla i kërkon Perëndimit ‘të mos gabojë më’ si në Ukrainë dhe të nxjerrin mësimet

Pasi qortoi e kritikoi mbarë komunitetin Trans-Atlantik se po bëjnë “gabime të rënda strategjike”, Ministrja e Jashtme e Kosovës ka vazhduar të njëjtin “leksion” ndaj Perëndimit. Nuk e njohin Serbinë dhe po e përkëdhelin atë, tha ajo në një intervistë mbrëmë në ATV, ku veçse qëndroi në linjat e intervistës së saj të fundit në “Der Standard”, intervistë kjo që argumentativisht mund të shënohet për skandal të madh diplomatik në vend.

Gërvalla i mëshoi Perëndimit, e kuptueshëm më së shumti ShBA-së si lidere e Perëndimit, se “nuk kanë nxjerrë mësimet nga gabimet që i kanë bërë në të kaluarën”. Këtu ajo e supozoi “gabimin” e bërë në Ukrainë, me mosevitimin e luftës atje, që, sipas saj, e për të njëqindtën herë që nga 24 shkurti i vitit të kaluar, ajo pandeh se mund t’i ndodh Kosovës

“Mosnxjerrja e mësimeve edhe në strategjitë e gabuara që kanë çuar në mosevitimin e luftës në Ukrainë, të bëjnë të mendosh që gabimet e tilla mund të përsëriten edhe në Ballkanin Perëndimor. Është detyrë e jona si institucione që atë çfarë ne dimë për fqinjin tonë, për synimet dhe strategjitë e tyre, ne i ndjekim në detaje, edhe deklaratat e tyre i ndjekim dhe deklarimet e tyre i nxjerrim edhe mes rreshtash”, tha ajo.

Këtu, ajo e vendosi linjën me Vuçiqin dhe Daçiqin. “Mosnxjerrja e mësimeve nga gabimet e bëra në të kaluarën, nga gabimet e vjetra, që kanë pasur të bëjnë me vlerësimin e Serbisë në atë kohë dhe të mentorit qoftë të Vuçiqit apo Daçiqit, sepse të dy politikën e kanë filluar si djelmosha të Millosheviqit”.

Gërvalla nuk ndalet. Perëndimi, thotë ajo, nuk po i kupton intencat që ka Serbia. Këtu ajo vazhdon t’i mëshojë edhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakut, për njëanshmëri.

” Shumë shpesh Lajçaku paraqet qëndrimet e Vuçiqit. Ky është konstatimi ynë, nga përcjellja që i kam bërë procesit, nga përcjellja e deklaratave që i jep Miroslav Lajçak në forume të ndryshme”.

“Për sa kohë ndërmjetësi Lajçak nuk e përjashton një propozim që është dhënë, e që madje i tejkalon edhe kompetencat të cilat Republika Srpska i ka në Bosnje-Hercegovinë, ne e kemi të pamundur të paraqesim propozimin tonë”, ka thënë mes tjerash ajo.