Prej 10 vitesh protagonist absolut në majën e sulmit të Tottenham, “bomberi” anglez, Harry Kane duket gjithnjë e më larg “londinezëve” këtë merkato vere, me “djajtë” e Manchester United, që janë në pritje prej kohësh të një sulmuesi klasi si 29-vjeçarit.
Mirëpo, pavarësisht dëshirës së madhe, për të sjellë në “Old Trafford”, një lojtar me potencial e eksperiencë të madhe, si Harry Kane, sërish bordi i “djajve” nuk kanë ndërmend të paguajnë 100 milionë paund për lojtarin, ashtu siç kërkon dhe Presidenti i Tottenham, Daniel Levy.
Sipas raportimeve më të fundit nga mediat britanike, bordi i United e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të paguajë një shumë aq të madhe për një lojtar kontrata e të cilit skadon në verën e vitit 2024 dhe që është vetëm 1 muaj larg të 30-tave.
Për momentin, klubi ka pushuar së interesuari për anglezin dhe ka kaluar në punë për transferimin e “vikingut” danez, Rasmus Hojlund, i cili luan te skuadra e Atalanta në Serie A, megjithatë nëse çmimi i Kane bie në rreth 80 milionë paund, United mund të kthehet në tryezën e negociatave pasi Erik ten Hag do të donte të shihte një sulmues që tashmë ka lënë gjurmë në Premier League.