Është e rëndësishme që Kina të vazhdojë të mos i dorëzojë armë Rusisë, tha sot kancelari gjerman, Olaf Scholz duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, me rastin e takimit ndërqeveritar me kryeministrin kinez, Li Qiang.
“Gjithashtu, i kam bërë sërish thirrje qeverisë kineze që të ushtrojë ndikimin e saj mbi Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë”, tha Scholz.
“Kina ka një detyrë shumë të veçantë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shtoi ai.
Kancelari gjerman më pas kujtoi marrëveshjen e dakordësuar nëntorin e kaluar, për kundërshtimin e përdorimit të armëve bërthamore kundër Ukrainës.
“Kjo vazhdon të zbatohet dhe ju falënderoj për këtë qëndrim të qartë të përbashkët”, tha Scholz.