Shqipëria shënon fitore të rëndësishme ndaj Ishujve Faroe, merr pozitën e dytë në grup

Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Pasi mposhten Moldavinë tre ditë më parë, të përzgjedhurit e Sylvinhos triumfuan sonte edhe ndaj Ishujve Faroe.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Torsvollur” përfundoi me rezultatin 1:3.

Kombëtarja shqiptare e nisi furishëm ndeshjen, me Sokol Cikalleshin që shënoi gol ende pa kaluar një minutë lojë – mirëpo, goli i tij u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.
Goli i epërsisë erdhi në minutën e 20-të, me Nedim Bajramin që shënoi pas një asistimi të duhur nga Jasir Asani.

12 minuta më vonë ishte Cikalleshi që lëshoi një rast të artë për të dyfishuar epërsinë, duke dështuar nga penalltia.

I njëjti lojtar lëshoi një tjetër rast të mirë në minutën e 44-të, pasi nuk shënoi nga afërsia.

Dhe, rastet e humbura i kushtuan Shqipërisë, që pësoi gol në fundin e pjesës së parë. Odmar Faero shënoi për vendasit.

“Kuqezinjtë” e nisën më mirë edhe pjesën e dytë, teksa epërsinë e rikthyen në minutën e 51-të, kur Kristjan Asllani shënoi një gol jashtëzakonisht të bukur nga distanca.

Kombëtarja “Kuq e Zi” regjistroi edhe raste tjera të mira në vazhdim, teksa golin e qetësisë dhe të vulosjes së fitores e gjeti në minutën e parë shtesë – 90+1’, me Ernest Muçin që shënoi golin e parë zyrtar.

Muçi shënoi pasi u asistua nga Myrto Uzuni.

Shqipëria pas kësaj fitore ka gjashtë pikë dhe është e dyta në Grupin E, me vetëm një pikë më pak se Republika e Çekisë.