Mos abuzoni me policët e kidnapuar!

Shkruan: Florim Zeqa

 

Pas kidnapimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës nga forcat e xhandarmërisë serbe në zonën kufitare, është folur e shkruar shumë, është debatuar dhe është gjykuar agresioni barbarë i Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, por nuk kanë munguar as gjykimet ndaj policëve tonë kinse për “mosgatishmërinë e mbrojtjes së atdheut dhe vetes së tyre në radhë të parë”!

Nëse nuk mund t’i ndihmoni, mos i fyeni policët e kidnapuar

Disa edhe pse e dinë mirë të vërtetën dhe rrethanat që e shkaktuan rastin, fatkeqësisht kidnapimin e policëve po e trajtojnë si “dorëzim të turpshëm në duart e armikut, me pushkë në dorë dhe pa e shkrepur asnjë fishek, brenda oborrit të shtëpisë së vet”!

Mbase dikush do të dëshironte të kundërtën, që ata tre policë ta sakrifikonin veten për asgjë, e ndoshta dikujt tjetër do t’i konvenonte më shumë (për poena politikë) që ata tre policë të mos ishin fare gjallë, pra, të ishin vrarë që të mos merreshin më me ta, por vetëm t’i shpallnin heronj dhe t’ua lexonin nga një telegram ngushëllimi!

Deri në këtë nivel ka arritur marrëzia dhe morali i politikanëve të papërgjegjshëm dhe mbështetësve të tyre morbid.

Kidnapimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga forcat e xhandarmërisë serbe në brendi të territorit të vendit tonë, përveqse i planifikuar dhe i organizuar mirë, mund të ketë qenë edhe i sinkronizuar me bashkëpunëtorët e tyre nga brenda!

Kidnapimi i tre policëve të Kosovës në krye të detyrës në këtë pjesë të territorit të Kosovës nuk është risi dhe as befasi për opinionin në Kosovë, për shkak se raste të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën.

Befasi kësaj radhe mund ta quajmë mosreagimin e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre pa asnjë kusht dhe mosangazhimin e sinqertë të qeverisë së Kosovës për fatin e tyre.

I trishtë dhe befasues ishte reagimi i kryeministrit Kurti ndaj pyetjes së një gazetarje për mundësinë e këmbimit të tre pjestarëve të policisë së Kosovës me serbët e arrestuar në veri, me ç’rast gazetarja u kritikua ashpër nga kryeminsitri për pyetjen e parashtruar!

Të përshpejtohet trasnformimi i FSK-së në FARK

Rasti i fundit i kidnapimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës, e shtron pyetjen logjike,

sikur të mos ishte prezenca KFOR-it në Kosovës, a jemi ne të gatshëm si shtet ta mbrojmë vendin nga agresioni i mundshëm ushtarak i Serbisë?!

Lirisht mund të themi JO!

Pasi, për fat të keq, edhe pas 24 vjetësh nga çlirimi, forca kryesore mbrojtëse e shtetit tonë mbetet KFOR-i, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ende është e margjinalizuar sa i përket kapaciteteve ushtarake dhe armatimit, i cili është në disporporcion të plotë me forcën ushtarake të Serbisë!

Transformimi i gjatë 10 vjeçar, apo rrita e ngadaltë dhe e kontrolluar e FSK-së nga forcat e NATO-s është ndihmë e drejtëpërdrejt për shtetin e Serbisë.

Përderisa Serbisë i lejohet të pajiset me artileri të rëndë, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe aeroplan bombardues të tekonologjisë së fundit nga Rusia dhe Kina, FSK-së dhe shtetit të Kosovës nuk i lejohet ta ketë as një Helikopter, të paktën për nevoja emergjente për bartjen e të sëmuarëve apo të aksidentuarëve nga vendodhja në QKUK apo në spitalet rajonale!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke e përdorur me mjeshtri të madhe kryeneqësinë e Albin Kurtit ndaj ndërkombëtarëve që nga dita e parë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, duke ju kërkuar përfaqësuesve të QUINT-it, që të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre në parandalimin e Albin Kurtit, siq e thotë ai, kinse “për të mos e nisur një luftë të re në Ballkan”!

Lufta në fjalorin politik të Vuçiqit, është tregues i rrezikut të shpërthimit një lufte të re në Ballkan. Duke u bazuar në forcën tonë reale (minimale) ushtarake dhe mungesën kapaciteteve të FSK-së për një përballje nga sulmi eventual i Serbisë, shpëtimin duhet ta kërkojmë sërish të miqtë tonë, tek NATO dhe SHBA!

Çdo veprim kokë në vete i kryeministrit tonë dhe i pa koordinuar me partnerët ndërkombëtar mund të jetë fatal për shtetin e Kosovës. Krahas kërkesës drejtuar KFOR-it për përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve të marra nga NATO dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë edhe përshpejtimin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), si forcë mbrojtëse e përhershme e integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.