MERXHAN JAKUPI
Në fillim të viteve të 90-ta, ambasadori gjerman i akredituar në Moskë, i cili gjatë viteve të 80-ta, kishte qenë ambasador në Beograd, në gazetën gjermane “Die Zeit”, shkruan se populli serb është një popull Lindor. Në krahasim me sllavët e jugut, si sllovenët, kroatët dhe boshnjakët, serbët mbeten mostër dhe të lidhur, me kulturë dhe shpirt, me popullin rus. Mentaliteti, temperamenti dhe identiteti i tyre është i lidhur me nacionalizmin, pan-sllavizmin dhe krishterimin ortodoks.
Nuk është thënë së koti që serbët shpesh i kanë konsideruar dhe i kanë quajtur “rusë të vegjël” në Ballkan. Sllovenët, kroatët dhe boshnjakët kanë pasur të njëjtin etnogjen e gjuhë, atë sllav, duke ardhur në shekullin e shtatë nga Karpatet, me shkëputje nga trashëgimia kulturore pan-sllaviste, për t’u integruar me popujt evropianë.
Analisti dhe publicisti serb, Svetisllav Basra, shkruan se serbët janë të ndarë në dy taborë. Serbët e arsimuar, politikanët liberalë dhe modernë, janë pro- evropianë. Tabori i dytë, janë serbët e pa arsimuar, puritanë, tradicionalistë, pan-sllavistë dhe ortodoks, sidomos serbët e Bosnjës, janë rusofilë.
Basra thotë se pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, nga lindja janë deportuar shumë shizma ortodokse tek klerikët dhe Kisha Ortodokse Serbe. Këto rryma kanë ngjallur dhe frymëzuar nacionalizmin, pan-sllavizmin dhe ortodoksizmin, duke e çuar popullin serb në Mesjetë dhe me popujt e Lindjes, siç janë rusët.
ADHURIMI I DESPOTËVE DHE TIRANËVE
Analisti politik i jashtëm serb, Boshko Jakshiq, në portalet serbe ka konfirmuar diletantizmin dhe maninë e popullit serb. Jakshiq thotë se është paradoksale dhe naive kur një popull adhuron, e bën mit, idhull dhe kult një president të huaj. Serbët, për fat të keq janë duke admiruar një president të huaj, më shumë se presidentin e tyre. Serbët, që nga ardhja në Gadishullin Ballkanik, nuk kanë pasur lidhje dhe kontakte me rusët. Serbët kanë lidhje fetare e kulturore me rusët, por më shumë janë të lidhur emocionalisht, me nacional-romantizmin, pan-sllavizmin dhe ortodoksizmin. Në anën tjetër, në të kaluarën, një numër i serbëve është shkolluar në Vjenë, Paris, Londër dhe qytete të tjera evropiane.
Boshko Jakshiq vazhdon të konstatojë se është për t’u habitur që shumica e rusëve dhe serbëve janë anti-perëndimorë, sidomos elita politike dhe oligarkët rusë dhe serbë. Por, ata çdo herë udhëtojnë në Perëndim, kanë vila, firma dhe fëmijët e tyre studiojnë nëpër universitete perëndimore.
NDERIMET E KREMLINIT
Këtë javë, në bulevardin “Europa” të Moskës u zbulua statuja e kriminelit të luftës në Ballkan, Sllobodan Millosheviq. Në ceremoni morën pjesë politikanë nga Kremlini dhe djali i diktatorit, Marko Millosheviq. Para gazetarëve, Marko tha se kemi armikun e përbashkët, agresorët perëndimorë. Atë që populli i tij kishte pësuar në luftërat e viteve të 90-ta, të njëjtin episod dhe skenar po e përjeton edhe populli rus. Serbët dhe rusët, fatkeqësisht, kanë humbur betejat, por luftën do ta fitojnë. Njëri nga miqtë e Putinit, duke ngritur tre gishtat kishte thënë: “Bekimi dhe Zoti e ruan Serbinë dhe Rusinë!”.
Politikani dhe funksionari i lartë i ish-Federatës jugosllave dhe serbe, Nikolla Shahinoviq, njëri nga më të afërmit e Sllobos, në medien serbe ka potencuar se ai dhe shumë serbë ndihen krenarë dhe mburren për ngritjen e statujës së heroit të tyre, Sllobos. Në të ardhmen, edhe në Serbi do të ketë statuja të Sllobës, ngase tashmë ka nisma për ngritjen e statujave të heroit të tyre. Shahinoviq thotë se ngritja e statujës së Millosheviqit ka qenë nisma e elitës së Kremlinit. Millosheviq u kishte telefonuar me kohë krerëve të Kremlinit, në periudhën e Rusisë së Boris Jelicinit, se pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik do të fillojë edhe shpërbërja e Rusisë. Por asokohe fjalët e Sllobës ishin injoruar me sarkazëm dhe cinizëm.
Ndërkaq, një pjesë e serbëve akuzojnë Sllobën për tragjedinë e popullit serb që u nda në katër shtete, ndërsa pas tij, të gjithë pasardhësit si Koshtunica, Nikoliqi, Tadiqi dhe Vuçiqi janë duke ndjekur diskursin politik për bashkimin e serbëve nën platformën “Bota serbe”.