KFOR e quan arrestim kapjen e tre policëve: Nuk ishim në zonë kur tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës u arrestuan nga Policia e Serbisë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR është deklaruar lidhur me rastin e kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe.
Përmes një njoftimi për media, KFOR iu është referuar si “arrestim nga policia e Serbisë”, asaj që institucionet tona po i referohen si kidnapim.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë” – thuhet në njoftimin e KFOR-it.
“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe” – thuhet tutje në njoftim. .
Më tej është njoftuar se misioni është gjithashtu në kontakt të rregullt me EULEX dhe se u bëjnë thirrje të dyja palëve që të ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm.
Po ashtu KFOR ka thënë e po monitoron situatën dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
KFOR ka thënë se gjithashtu vazhdojnë të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për të çuar përpara dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Tre zyrtarë policorë të Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga autoritetet e Serbisë, derisa Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ende nuk dihet vendndodhja e tyre.
Një vizitë tek këta policë u tentua të bëhet të enjten nga Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, por kjo vizitë nuk iu është lejuar.
Në seancën e sotme Kurti gjithashtu ka deklaruar se ende janë në pritje që KFOR-i të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar.
Kurti u shpreh se KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte mandat edhe ta parandalonte.
Thirrje për lirimin e policëve të Kosovës të kidnapuar nga Serbia ka bërë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mattheë Miller në konferencën e përditshme për shtyp tregoi se SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ka se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë kidnapuar nga autoritetet serbe.
Sot u njoftua se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, e gjithashtu në mëngjesin e së enjten u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Përderisa në mbrëmje, kryeministri Kurti pati një takim informues edhe me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.
Kurti i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që sipas Zyrës së Kryeministrit dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.