Flet bashkëshortja e njërit nga policët e kidnapuar: Çdo ditë flas në telefon, sot nuk u lajmërua hiç
Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.Në mesin e tre policëve që u kidnapuan sot nga forcat serbe është edhe Shemi Mustafa.Ai në Policinë e Kosovës shërben që nga viti 2006, e në pikën statike që gjendej sot para se të kidnapohej po punonte nga aty, tash e dy muaj.
Kështu tregoi për KALLXO.com Shpresa Mustafa, gruaja e tij.Me lot në sy, ajo mbrapa kamerave shprehet e shqetësuar për situatën në të cilën gjendet.
E njëjta tregon se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë thirrje nga ana e zyrtarëve shtetërorë.“I kam do familjarë të tjerë policë, ata janë këtu. Na ka vizitu edhe një komandat i Policisë” – thotë ajo.Shpresa ka pesë fëmijë me Shemin, e njëjta tregon se ky i fundit, 62-vjeçar, ka edhe probleme shëndetësore.
“Është kanë edhe smutë, prej pushimit mjekësor ja ka nis punën. Ka probleme më frymëmarrje” – thotë ajo.
Lagjja ku jeton Shemi Mustafa, njëri nga tre policët e rrëmbyer nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë. FOTO: Shkodrane Dakaj.
Gruaja e policit të kidnapuar nga forcat serbe tregon se kontaktet me bashkëshortin e saj kur ai gjendet në punë i ka të vazhdueshme edhe pse shpeshherë terrenet e vështira ia pamundësojnë të bisedojnë lirshëm.“Sot nuk kemi fol hiç me të, tjera herë fol gjithë, e sot asnjëherë nuk është lajmëru se nuk po kanë qasje atje, nuk kanë valë, sen hiç nuk kanë. Po kohë pas kohe ai del, lypë valë, i gjenë e më lajmërohet. Sot asnjëherë nuk është lajmëru, prit po lidhet diku me më shkru, hiç sen” – shprehet ajo.
Tre policë të Kosovës u kidnapuan sot në Leposaviq. Siç kanë konfirmuar Policia e Kosovës e edhe vet krerët e shtetit, policët gjendeshin brenda territorit të Kosovës.“Njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës” – thuhet në komunikatën e Policisë.