Kurti thirrje ndërkombëtarëve për dialogun: Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Por rruga për shtensionim në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje. Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa kanë fajësuar Kosovën për zhvillimet e fundit.

“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe korrekt të marrëveshjes bazike”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.