Pep Guardiola falënderoi Roberto Baggion që i solli fat në finalet e Ligës së Kampionëve, teksa legjenda italiane ndoqi nga afër fitoren e Manchester Cityt në finalen ndaj ish-skuadrës së tij, Interit.
Baggio ka qenë i pranishëm në stadium për të tre fitoret e Guardiolas në finalet e Ligës së Kampionëve. Pasi ka parë nga tribuna teksa Barcelona mundi Manchester Unitedin dy herë, ai njëjtë veproi edhe të shtunën mbrëma, transmeton Gazeta Express.
Duke iu drejtuar mediave në italisht pas triumfit të Man Cityt mbrëmë, Guardiola ishte i shpejtë për të vënë në dukje se Baggio ishte bërë disi një sharmë fati për të dhe shpreson se ai do të jetë në gjendje të merrte pjesë gjithashtu në finalen e ardhshme të madhe të ekipit anglez.
“Para së gjithash, jam shumë i lumtur që Roberto Baggio ishte këtu me Gianni Infantinon. Dhe është vërtetë e këndshme që Roberto ishte gjithashtu atje në Romë dhe në Wembley kur fituam Ligën e Kampionëve (me Barcelonën), kështu që herën tjetër shpresoj që ai të më shoqërojë përsëri”, tha 52-vjeçari.
Guardiola dhe Baggio ka qenë bashkëlojtarë te Brescia.