Një vajzë 15-vjeçare në Guajana akuzohet për vrasjen e 19 personave pasi dyshohet se i vuri zjarrin një konvikti të shkollës së mesme.
Sipas hetuesve, e dyshuara, e cila gjithashtu u plagos gjatë incidentit, i vendosi “qëllimisht” flakën shkollës më 21 maj pasi u mërzit sepse mësuesit i kishin konfiskuar telefonin.
Zjarri mori jetën e 18 vajzave indigjene të moshës 12 deri në 18 vjeç, të cilat ishin nga fshatrat e largëta dhe qëndronin në konviktin e shkollës që ndohet në qytetin kufitar jugperëndimor të Mahdia.
Gjithashtu nga flakët vdiq edhe një djalë 5-vjeçar, i biri i përgjegjëses së konviktit.
Sa i përket të dyshuarës ajo është paraqitur praktikisht në një seancë dhe është urdhëruar të mbahet në paraburgim në pritje të procedurave të mëtejshme gjyqësore.
Ajo nuk u lejua të pranojë akuzat dhe do të paraqitet për herë të dytë në gjykatë ku do të vendoset një gjykim paraprak.
Nëse shpallet fajtore, 15-vjeçarja mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, autoritetet kanë sqaruar se shumica e nxënëseve vdiqën pasi u bllokuan në ndërtesën e djegur, pavarësisht se ekipet e zjarrfikësve arritën të shpëtonin të tjerët duke thyer një nga muret.
Shumë prej të plagosurve janë liruar nga spitali, por një vajzë ka pësuar lëndime aq të rënda saqë u desh të dërgohej në një spital në Nju Jork për trajtim të specializuar.
Këshilltari për sigurinë kombëtare Gerald Gouveia përshkroi se si zjarri u përhap nëpër ndërtesë, e cila ishte mbyllur nga përgjegjësja e konviktit për të ndalur vajzat që të dilnin fshehurazi dhe të shoqëroheshin me burra nga fshati.
“Përgjegjësja ishte në gjumë në atë moment brenda ndërtesës, por pavarësisht se i doli gjumi ajo pësoi gjendje paniku dhe nuk mund të gjente çelësat e duhur për të hapur derën nga brenda”, tha Gouveia.