Kanë kaluar 20 vite nga finalja e fundit anglo-italiane në kompeticionin e Champions League. Interi ishte finalisti i parë që u kaloi duke mposhtur kështu Milanin në gjysmëfinalet me një rezultat të përgjithshëm 3-0.
Mbrëmjen e djeshme, Manchester City “shkatërroi” Real Madrid në “Etihad” me rezultatin e thellë 4-0, duke qenë kështu kundërshtari i Interit në finalen e Stambollit. 20 vite më vonë, përsëritet një finale Champions League mes një klubi anglez dhe një italian. Në sezonin 2004-2005, Liverpool dhe Milan u përplasën së bashku në një finale Championsi duke dhuruar emocione në një nga përballjet më të bukura në historinë e këtij kompeticioni.
Kjo është hera e parë në histori që Manchester City dhe Interi do të përballen së bashku në një ndeshje zyrtare dhe këtë do e bëjnë pikërisht në finalen e Stamb ollit më 10 qershor. Duke i marrë të dyja skuadrat në letër, City është tmerrësisht dominant ndaj Interit, me një diferencë të madhe mes tyre, por në një finale asnjëherë nuk i dihet, pasi është vetëm një ndeshje e vetme dhe fiton ai që ka pak fat dhe që beson te ky trofe, pra një finale fitohet, nuk luhet.
Ndoshta Pep Guardiola nuk ka qenë shumë i lumtur që në finale do të gjejë Interin. Zikaltërit, 13 vite më parë, eliminuan Barcelonën e tij nga Champions League. Në vitin 2010, Guardiola ishte në drejtimin e Barcelonës ikonike e të famshme, por zikaltërit e drejtuar nga portugezi “The Special One”, Jose Mourinho, i eliminuan atë sezon nga gjysmëfinalet me dy ndeshje perfekte dhe tepër emocionuese. Inter në atë kohë fitoi tripletën e famshme, duke mposhtur Bayern Munich në finalen e Madridit.