Barcelona e ka fituar titullin e 27 në La Liga, katër xhiro pa përfunduar sezoni.
Xavi Hernandez e ka fituar titullin e parë kampion në La Liga si trajner i kësaj skuadre.
Me fitoren bindëse 2:4 në udhëtim ndaj Espanyolit, katalonasit edhe matematikisht e kanë siguruar titullin e kampionit, të parin që nga sezoni 2018/19.
Lewandowski kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 11-të, para se Balde të dyfishonte nëntë minuta më vonë.
Ishte sërish sulmuesi polak që realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin në përgjithësi për Barcelonën në minutën e 40-të.
Kounde realizoi në të 53-tën për rezultatin 0:4.
Në minutën e 74-të Espanyoli shënoi për 1:4 nëpërmjet Puado.
Krejt në sekondat e fundit, Espanyoli shënoi edhe njëherë, për rezultatin përfundimtar, 2:4.
Me këtë fitore, Barcelona shkon në kuotën e 85 pikëve në vendin e parë, 14 më shumë se Real Madridi, katër xhiro para fundit të kampionatit.
Në anën tjetër, Espanyol mbetet i parafundit me 31 pikë dhe e rrezikon seriozisht largimin nga elita e futbollit spanjoll.