Shqipëria kalon në finalen e Eurovizion

Albina dhe familja Kelmendi, me këngën “Duje”, çojnë Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovizionit, e cila po mbahet në Liverpul të Anglisë.

Shqipëria ishte e parë që fitoi të drejtën për të kaluar në finale, ku nga nata e dytë gjysmëfinale do të shkojnë 10 shtete nga 16 që morën pjesë.

Albina dhe familja Kelmendi u ngjitën në skenën e Eurovizionit duke dhuruar një performancë dinjitoze, me një vokal drithërues e duke bërë këdo krenar! Kënga e sjellë në shqip me titull “Duje” u performua e 14-ta në natën e dytë teksa arritën të rrëmbenin duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.

Skena ishte e dominuar nga ngjyrat kuqezi, si flamuri i Shqipërisë teksa mesazhi që donin të përcillnin ishte mjaft i qartë. “Paqja në botë vjen kur duam familjen”, ka theksuar Albina, para se të ngjitej në skenë.

Festivali i këtij viti mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të pamundësisë për ta organizuar në Ukrainë, e cila fitoi në vitin 2022, prej luftës.