“Barca TV” do të mbyllet, pritet të mbesin pa punë 150 punonjës

Televizioni “Barca TV” do të ndalojë transmetimin më 30 qershor, sipas një raporti të publikuar nga RAC1 të enjten.

Mbyllja e televizionit zyrtar të klubit katalanas do të nënkuptojë shkarkimin e 150 punonjësve dhe profesionistëve, shkruan marca.com, transmeton klankosova.tv.

Bordi e ka marrë këtë vendim për të ndihmuar në balancimin e llogarive dhe në përputhje me kërkesat e Fair Play-it financiar të La Liga Santander.

Disa orë pasi vendimi doli në dritë, Barcelona ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të rinovojë marrëveshjen me kompaninë që menaxhon televizionin e klubit, TBSC Telefonica, e cila skadon më 30 qershor.

Barca TV u shfaq për herë të parë më 27 korrik 1999 dhe aktualisht transmeton çdo ditë të vitit, 24 orë në ditë.

Mbulimi fokusohet vetëm dhe ekskluzivisht në çështjet që lidhen me seksionet e ndryshme sportive të klubit, si dhe informacionin e korporatës.