Media në Serbi njofton se një motër medicinale ka transmetuar live në rrjetin social TikTok një nënë duke lindur. Incidenti, njofton, kdp.mk, ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një klinikë të Beogradit
Media serbe bën të ditur se të paktën 200 qytetarë ishin skandalizuar nga ky “transmetim i drejtpërdrejt”.
Drejtoria e Klinikës e ka reaguar menjëherë: Ka dënuar ashpër veprimin e infermieres, duke e suspenduar atë nga puna.
“Jemi të tmerruar dhe dënojmë ashpër veprimet e infermieres. Në të njëjtën kohë falënderojmë të gjithë ata që na informuam me kohë për këtë ngjarje,”- përcjell kdp.mk deklaratën e autoriteteve spitalore beogradase për tv e pavarur N1.
Filmimi dhe publikimi i lindjes është rreptësisht i ndaluar me Ligjin serb për Mbrojtjen Shëndetësore.
Kujtojmë se më herët, diçka e ngjashme ndodhi në Spitalin e Tetovës kur një anesteziolog me iniciale V.D., po në TikTok transmetoi Live gra duke lindur ose duke iu nënshtruar kontrollit. Pas reagimeve të shumta, mjeku përfundoi në polici, u përjashtua nga puna dhe Këshilli i Nderit pranë Odës së Mjekëve mori vendim që të njëjtit t’i merret për shtatë vjet licenca e punës.