Pasi e eliminoi Bayern Munchen, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola do të luajë gjysmëfinalen e tij të dhjetë të Ligës së Kampionëve.
City do të ndeshet me Real Madridin në gjysmëfinale, skuadrën që e privoi nga finalja e vitit të kaluar. Për këtë fakt, Guardiola është i vetëdijshëm dhe e ka vlerësuar shumë lart rivalin e tij në gjysmëfinale. Ai tha se nëse një skuadër dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve duhet ta quajë veten “Real Madrid”.
“Të gjitha skuadrat kanë ndjenjën se nëse doni të fitoni Ligën e Kampionëve, duhet ta quani veten Real Madrid. Më parë ishte Barça dhe tani është Madridi. Real Madridi ka qenë në njëmbëdhjetë gjysmëfinale në 13 vjet. Ne kemi qenë në tri. Detyrimi për të fituar trofeun? E rëndësishme është të provosh, jo të fitosh. Nëse provon, ndoshta një ditë do të kesh fat”, ka deklaruar Guardiola.