Abazoviq: Marrëveshja ime me Kishën Ortodokse Serbe, model për Kosovën

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se Kosova mund ta marrë shembull marrëveshjen e tij me Kishën Ortodokse Serbe.

Në një intervistë për televizionin publik në Kosovë, Abazoviq ka mohuar se ka qenë kjo marrëveshje arsyeja që ai u rrëzua nga posti i kryeministrit.

Vitin e shkuar, Abazoviq nënshkroi marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Sipas marrëveshjes, Kishës Ortodokse Serbe i jepen kompetenca ligjore publike dhe hapet mundësia e futjes së arsimit fetar në shkolla. Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, pati raportuar REL.

Abazoviqi ka thënë se ka marrë postin e kryeministrit për të marrë vendime të vështira.

Sipas tij, marrëveshje të tillë mund të zbatojë edhe Kosovë. “Kur të relaksohet populli, vetëm përfitohet”.

“Nuk them në mënyrë të njëjtë, por si model mund ta ketë edhe Kosova atë marrëveshje me Kishën Ortodokse”, ka thënë ai.