Hidhet mjet shpërthyes në drejtim të kryeministrit japonez derisa po mbante fushatë

Kryeministri japonez Fumio Kishida u evakua pa dëmtime të shtunën pasi dikush hodhi një mjet shpërthyes në drejtim të tij, thanë zyrtarët. Kryeministri po zhvillonte një tubim fushate në një qytet port në pjesën perëndimore të Japonisë kur ndodhi incidentit.

Policia arriti ta kapë dhe ta vërë nën kontroll autorin e dyshuar, ndërsa të pranishmit bërtisnin dhe përpiqeshin të largoheshin nga skena. Megjithëse nuk pati të dëmtuar dhe zoti Kishida vazhdoi fushatën të shtunën, skena kaotike të kujton vrasjen nëntë muaj më parë të ish-Kryeministrit Shinzo Abe, i cili gjithashtu po zhvillonte fushatë.

Zoti Kishida po vizitonte portin Saikazaki në prefekturën Wakayama për të mbështetur kandidatin e partisë së tij në pushtet në zgjedhjet lokale. Shpërthimi ndodhi pak para se kryeministri të fillonte fjalimin e tij.
Një i ri u arrestua të shtunën në skenën e ngjarjes nën dyshimet se hodhi objektin e dyshimtë, tha për gazetarët shefi i kabinetit, Hirokazu Matsuno. Ai nuk pranoi të komentonte lidhur me motivin e sulmit duke thënë se policia po zhvillonte hetime.