Drejtuesit e Al Nassr kanë vendosur të shkarkojnë trajnerin, francez Rudi Garcia, për shkak të rezultateve të dobëta dhe marrëdhënieve jo të mira me futbollistët dhe dëshira e tyre është që skuadrën t’ia besojnë një emri të madh si Jose Mourinho.
“AS” shkruan se oferta që ata kanë vënë në tavolinë për trajnerin aktual të Romës është 100 milionë euro për dy sezone.
Nëse do të pranojë, pa dyshim që do të bëhej trajneri më i paguar në botë.
Pengesa e madhe që Al Nassr has në negociata në këtë moment është se Mourinho është në fazën e fundit të sezonit me Romën.
Verdhekuqtë duan një nga katër vendet e para në Serinë A dhe pse jo edhe trofenë e Europa League-s.
Vetë luzitani është shprehur se ideja e tij është të vazhdojë me Romën.
Gjithsesi, oferta që vjen nga Arabia Sauditë është e parezistueshme. Tek Al Nassr do të rigjente Cristianon Ronaldon e ndoshta si kundërshtar edhe Lionel Messin, që kërkohet nga Al Hilal, që thuhet se i ka ofruar rreth 400 milionë euro pagë për dy vite “Pleshtit”.