Interi ka regjistruar ndeshjen e katërt radhazi pa fitore në Serie A, duke rrezikuar kështu edhe që të mbetet jashtë top-katërshes në tabelë.
Pas tri humbjeve radhazi, skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi sot ndau pikët me Salernitanan, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Arechi” përfundoi me rezultatin 1:1.
Rubin Gosens (6′) shënoi për epërsinë fillestare të “Nerazzurrëve”, që ishin shumë afër fitores.
Por, në fund të ndeshjes u shfaq Antonio Candreva (90′), i cili shënoi për të barazuar shifrat dhe për t’ia siguruar skuadrës së tij një pikë nga kjo përballje.
Salernitana, që regjistroi barazimin e pestë radhazi, tani ka 29 pikë dhe ndodhet në pozitën e 15-të në tabelë.
Kurse, Interi është i katërti me 51 pikë, me vetëm një më shumë se Roma e pozitës së pestë. Romakët ndeshjen e kësaj jave do ta luajnë nesër, kundër Torinos.