Krasniqi: Vetë isha pjesë e LDK-së – absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të saj (VIDEO)
11:-07 – Përfundon seanca, javën tjetër niset me dëshmitarët
Pas përfundimit të fjalës së Jakup Krasniqit dhe avokates Venkateswari Alagendra, ka përfunduar seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Është marrë vendim që seanca e radhës të mbahet të martën më 11 prill, ku do të niset me dëgjimin e dëshmitarit të parë.
11:05 – Krasniqi, gjykatës: Kam lindur me dinjitet, dua të vdes me dinjitet
Jakup Krasniqi, ish-Zëdhënës i UÇK-së dhe ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur një fjalim para gjykatës, mbi 15 minuta.
Duke folur për jetën e tij, Krasniqi, ka thënë se aspirata e tij e vetme ka qenë bashkimi kombëtar.
“Edhe deklaratat e mia kanë qenë në funksion të ngjalljes së shpresave që bashkimi do t’i rriste gjasat për fitore. Deklaratat e mia duhej të shiheshin në funksion të afirmimit të luftës tonë”.
Ai ka shtuar se më shumë e ka lënduar aktakuza e ngritur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, sesa aktgjykimet ndaj tij nga ish-Jugosllavia.
“Unë kam lindur me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet. Nuk kam kryer krime as para luftës, as gjatë luftës, as pas luftës. Nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale as me veprim, as me mosveprim, as me nxitje. Kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar që ka qenë qëllimi im kryesor jetësor”.
10:45 – Krasniqi: Vetë isha pjesë e LDK-së – absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të saj
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij përpara trupit gjykues ka thënë se është absurde të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së.
Krasniqi tha se ai ishte kryetar i degës së LDK-së në Drenas që nga fundi i vitit 1997 deri në prill të vitit 1998.
“Unë vet isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja që unë kam mundur të isha pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëluftëtarëve të mi”, është shprehur Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Krasniqi tha se pjesë e LDK-së ishte edhe vëllai i tij, Agimi, ndërsa shtoi se në zgjedhjet e pasluftës, mbesa e tij, Mimozë Krasniqi, si anëtare e LDK-së u zgjodh asambliste në Drenas.
“Pa marrë parasysh se pas përfundimit të luftës kemi vepruar në parti politike të veçanta, unë ruaj kujtimin dhe respektin për anëtarët e LDK-së me të cilët kemi vepruar në rrethana tejet të rënda”.