Avokati Luka Misetiq, ka thënë se i akuzuari i Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi, si Drejtor Politik nuk ishte ai që merrte vendime për tërë UÇK-në.
“UÇK nuk ka pasur komandë të unifikuar. Nuk mund të japë garanci që ushtarët e UÇK-së nuk janë përgjigjur. Thaçi nuk mund të flasë për të gjithë UÇK-në, as komandantët të cilët kanë qenë edhe kundër demilitarizimit”, është shprehur Misetiq.
Misetiq ka theksuar se Thaçi “Nuk mund të ndalte krimet”.
“Ai bënte thirrje për përfundimin e dhunës, derisa paslufte ka bërë thirrje edhe për bisedime ndëretnike [nga Ura e Ibrit]”.
11:25 – Keohe: Jo Thaçi, por Demaçi ishte personi që duhej të pajtohej për bashkimin e UÇK-së me FARK-un
Gregory Keohe, avokat i ish-presidentit, Hashim Thaçi, ka thënë se klienti i tij nuk ishte pjesëmarrës në takimin kur synohej të bashkoheshin forcat e UÇK-së me ato të FARK-ut.
“Themi që Thaçi ishte aq i rëndësishëm, por nuk ishte fare në takim. Adem Demaçi ishte personi që duhej të pajtohej me faktin që FARK dhe UÇK do t’i bashkonin forcat”, ka thënë Keohe, njofton KlanKosova.tv.
“Në takim ishin Adem Demaçi, Bujar Bukoshi, Halil Bicaj dhe një përfaqësuesa i UÇK-së. Thaçi nuk pretendohej se ishte vendimmarrës i rëndësishëm. Sipas përgjegjësisë, komandës dhe kontrollës, Thaçi nuk ishte asnjë lloj përgjegjësie”.
11:16 – Pas avokatëve edhe Thaçi do të japë qëndrimin e tij për akuzat
Pas përfundimit të fjalëve hyrëse të dy mbrojtësve të tij, Gregory Kehoe dhe Luka Misetiç, edhe ish presidenti Hashim Thaçi ka vendosur ta marrë fjalën dhe ta japë qëndrimin e tij lidhur me akuzat e Prokurorisë në nisje të procesit gjyqësor ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Fjala e Hashim Thaçit pritet të zgjasë rreth 5 minuta sikurse ka thënë avokati i tij Misetiç, njofton Klankosova.tv.
Ndërkaq krejt në fund do t’i drejtohet gjykatës sërish Kehoe për ta përmbyllur fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit që zgjat afërsisht 3 orë.
Kujtojmë se edhe sot po vazhdon seanca gjyqësore e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Seanca po vazhdon me deklaratat hyrëse të ekipit mbrojtës teksa gjatë ditës së djeshme nisi dita e parë e procesit gjyqësor.
Gjatë ditës së djeshme ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i pyetur nëse e kupton aktakuzën dhe a i qëndron vetëdeklarimit të parë për pafajësi pohoi se i qëndron të njëjtit vetëdeklarim.
E njëjta gjë ndodhi dhe me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
10:41 – Avokati i Thaçit: Qeveria e Përkohshme nuk u bë, siç tha ZPS për ta “shfrytëzuar vakuumin e pushtetit”
Gregory Keohe, avokati i ish-Drejtorit Politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar argumentin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të thënë në seancën hapëse të gjyqit se qeveria e përkohshme e Kosovës pas luftës u themelua si shfrytëzim i hapësirë.
“Qeveria e Përkohshme nuk u krijua për ta shfrytëzuar vakuumin e pushtetit. U bë me nxitjen e ShBA-së dhe ndërkombëtarëve si kornizë bazë për ndërtimin e infrastrukturës në Kosovë”, ka thënë Keohe në seancë, njofton KlanKosova.tv.
“Kjo qeveri nuk i krijua që UÇK ta merrte me forcë kontrollin e Kosovës”.
Keohe ka përmendur se Qeveria e Përkohshme ishte strukturë gjithëpërfshirëse edhe me anëtarë të LDK-së.
“Supozohej që të ishte e përkohshme deri në zgjedhje të lira. Qeveria e Përkohshme nuk ishte plani i Thaçit për ta shfrytëzuar vakuumin e pushtetit. ShBA-së donte që të kishte një qeveri të përkohshme që funksiononte në harmoni me subjektet ndërkombëtare.
10:31 – Avokati Keohe: Kur Thaçi ishte në Rambuje nuk kishte kontroll mbi UÇK-në (VIDEO)
Sot po vazhdon seanca gjyqësore e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë që kur Thaçi merrte pjesë në negociatat e Rambujesë, nuk kishte kontroll mbi UÇK-në, njofton Klankosova.tv.
“Thaçi i cili asokohe jetonte në Zvicër, nuk kishte kontroll mbi UÇK-në. Ai nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë pa pëlqimin e komandantëve të zonave të cilin kishin aq shumë pushtet, sa që e shkarkuan Komandantin e Përgjithshëm Azem Sylën, ndërkohë që Thaçi ndodhej në Rambuje”.
10:28 – Thaçi nga Rambuje shkoi në Slloveni ta merrte miratimin e Demaçit për nënshkrim
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se klienti i tij nuk ishte ai që mund të vendoste vetë që ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë.
Ai ka thënë se derisa Thaçi ka qenë në Rambuje të Francës, e kishte lënë konferencën për ta marrë miratimin e Adem Demaçit, përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Aftësia e Thaçit që ta nënshkruante marrëveshjen vihej në dyshim nga një sërë faktorësh. Duhej të ekzistonte njëfarë aprovimi nga Adem Demaçi që ishte autoritet supreme politik i UÇK”, është shprehur Keohe, njofton KlanKosova.tv.
“Thaçi u largua gjatë konferencës për të shkuar në Slloveni që ta merrte miratimin e Demaçit. Ish-sekretarja amerikane, Madeliene Albright, I bëri thirrje Demaçit që ai ta mbështeste Rambujesë, por ai ishte kundër sepse nuk përfshinte pavarësinë e Kosovës”.
Keohe ka theksuar se Thaçi më pastaj u përball me presion të madh ndërkombëtar.
“Albright I tha atij ‘gjimnazist’ të cilin e kishte qortuar”.
Në fjalën e tij, Keohe ka thënë se Thaci për nënshkrim kishte marrë miratimin e komandantëve të zonave.
10:06 – Avokati thotë që Thaçi s’kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte
Në Hagë ka nisur dita e dytë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Avokat i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka mohuar të gjitha pretendimet e djeshme nga Prokuroria Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalës hyrëse, Keohe ka thënë që Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte, përcjell Klankosova.tv.
“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë kriminale, komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës dhe dëshirojmë të ofrojmë faktet e asaj që ndodhën në terren, duke filluar me prezentimin fillestar të Hashim Thaçit dhe rolin e tij gjatë viteve 98-99. Thaçi ishte një aktivist, student që u kthye në Kosovë në mars të vitit 98 menjëherë pas vrasjes së anëtarëve të familjes Jashari që është edhe pikënisja e kësaj periudhe që mbulohet nga kjo aktakuzë”.
“Motivi është shumë i rëndësishëm. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime si një prej udhëheqëse të UÇK-së e dinte se suksesi i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të”, ka thënë Keohe.
Gjyqi në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur punimet për ditën e dytë.
Në seancën e sotme në Hagë të Holandës do të jenë palët mbrojtëse që do t’i shpalosin argumentet e tyre, njofton KlanKosova.tv.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë nisur së gjykuari nga e hëna. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi është i pari që ka nisur shpalosjen e argumenteve dhe për këtë do t’i ketë në dispozicion tri orë.