Barcelona raportohet se është në bisedime me një numër sponsorësh për të lehtësuar rikthimin e yllit argjentinas, Lionel Messi, gjatë afatit kalimtar të verës.
Sipas “Jijantes”, Blaugranët janë duke punuar në mënyra të ndryshme për të mundësuar rikthimin e ish-futbollistit të tyre.
Zëvendëspresidenti i klubit, Rafa Yuste, pranoi ditë më parë se pavarësisht se është e vështirë, ata janë në bisedime me Messin për një rikthim të mundshëm të tij në “Camp Nou”.
Tani, Barcelona thuhet se është në bisedime me sponsorë të mëdhenj për të bërë një marrëveshje të duhur financiare për të rikthyer 35-vjeçarin, i cili u largua në verën e vitit 2021.
Dihet se kudo që shkon Messi, ai sjell me vete një numër sponsorësh.
Paris Saint-Germaini pati një rritje të të ardhurave pasi nënshkruan me të, duke shtuar këtu edhe faktin e numrit të madh të fanellave që klubi shiti falë shtatë herë fituesit të “Topit të Artë”
Marrëdhëniet e Messit me PSG-në, ose të paktën me tifozët, janë tensionuar së fundmi.
Ai u fishkëllua sërish nga tifozët parisienë të dielën mbrëma përpara ndeshjes së tyre ndaj Lyonit.