Dështon thirrja e Rusisë për hetim ndërkombëtar në shpërthimin e gazsjellësit Nord Stream

Një rezolutë e paraqitur të hënën nga Rusia në Kombet e Bashkuara që bën thirrje për një hetim ndërkombëtar për sabotim të mundshëm vitin e kaluar në gazsjellësin Nord Stream, nuk ka arritur të fitojë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit. Kjo ka çuar në më shumë retorika mes të dërguarve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Mendoj se pas votimit të sotëm, dyshimi se kush qëndron pas aktit të sabotimit në gazsjellësin Nord Stream është fare i qartë”, tha përfaqësuesi rus Vassily Nebenzia.

Projekt-rezoluta e Rusisë mori vetëm tre vota pro – nga ajo vetë, Kina dhe Brazili. 12 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit abstenuan. Një projekt-rezolutë ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga anëtarët e përhershëm për t’u miratuar.

“Dua t’ju kujtoj disa fakte themelore, në sytë e të gjithë botës. SHBA dhe aleatët e saj kanë bërë gjithçka që munden për të siguruar që të mos ketë hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi me gazsjellësin Nord Stream në shtator,” tha diplomati Nebenzia pa dhënë prova.

I dërguari i SHBA-së u kundërpërgjigj, duke thënë se Moska po kërkon të diskreditojë hetimet e brendshme të vazhdueshme për shpërthimin dhe të paragjykojë përfundimet e tyre.

“Që kur ndodhën sulmet, Rusia ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për kryerjen e tyre”, u tha anëtarëve të këshillit i dërguari amerikan Robert Wood. “Me këto komente, ishte shumë e qartë se Rusia nuk ishte e interesuar për një hetim të paanshëm. Tashmë e kishte vendosur se kush ishte fajtori. Rusia thjesht po luan politikë”.