Asani pas debutimit me Shqipërinë: Kisha shumë emocione, luajtëm mirë në përgjithësi, por jemi të mërzitur për humbjen
Kombëtarja e Shqipërisë e nisi me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
“Kuqezinjtë” pësuan humbje në udhëtim kundër Polonisë.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “PGE Narodowy” përfundoi me rezultatin 1:0.
Jasir Asani, që debutoi sonte me fanellën kuq e zi dhe regjistroi një paraqitje të mirë, tha se kishte shumë emocione.
“Kisha shumë emocione përpara ndeshjes. Shokët më thanë ta merrja me qetësi. Jemi të mërzitur, pësuam një gol për mungesë përqendrimi. Ky është futbolli. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në përgjithësi, të vazhdojmë kështu”, tha ai pas ndeshjes për “Supersport”.
“Ai [Sylvinho] më tha që të vazhdoja kështu dhe të jap edhe më shumë maksimumin që të arrijmë fitore me Kombëtaren. Besoj se është i kënaqur me mua. Të gjithë dhamë maksimumin. Kemi një skuadër shumë të mirë”, deklaroi Asani.