Muriqi rreth situatës me Agim Ademin: Ne jemi këtu për ta përfaqësuar shtetin, keq që ndodhi, por duhet shikojmë përpara

Kombëtarja e Kosovës të martën mbrëma do ta zhvillojnë ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Dardanët” do të presin Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:45.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë pas barazimit 1:1 me Izraelin të shtunën.

Në prag të kësaj ndeshje, Vedat Muriqi u paraqit në konferencën e sotme për media.
Mes tjerash, sulmuesi i Mallorcas u pyet edhe rreth zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës, që rezultuan me arrestimin e kryetarit, Agim Ademi.

Ademit pastaj iu caktua masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Muriqi pranoi se kjo ka pasur ndikim për të keq, por që duhet kaluar kjo situatë.

“Ne jemi këtu për të luajtur si futbollistë, për ta përfaqësuar shtetin tonë. Janë ngjarje që mirë kishte qenë mos më ndodh. Por, tash që ndodhi, normalisht që ndikon keq në çdo njeri në Federatë dhe futbollistë, por duhet të shohim përpara”, tha ai.

“Nuk kam ndonjë përgjigje konkrete. Ka reflektuar, po. Por, me një rezultat pozitiv tash besoj se mund ta kalojmë këtë situatë”, deklaroi Muriqi.